E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kontratat e

Kompania shqiptare e tregtise se materialeve ushtarake eshte kontraktorja e fabrikes se Gerdecit. Parashikoheshin masa sigurie shumë strikte në kontratat e bëra me vlerë më shumë se 2 milionë dollarë, por...

TIRANË - Me një anglishte aspak ligjore e shumë jokorrekte nga ana gramatikore, ca më shumë pa referenca në ligjet shqiptare ose dhe ndërkombëtare, ashtu siç në fakt duhej të ishte një kontratë ndërkombëtare, e me “100 shtigje” të tjera të dyshimta ligjore, zë fill bashkëpunimi mes Ministrisë së Mbrojtjes, e përfaqësuar nga shoqëria shtetërore “Meico” dhe firmës private amerikane “Southern ammunition company inc”. Por ajo çka duket më e frikshme, është se kontrata parashikon masa sigurie teknike të standardeve ndërkombëtare, ndërsa në fakt, ajo çka realisht ka ndodhur përgjatë gjithë këtyre muajve në Gërdecin e fshehur mes kodrave deri tri ditë më parë, ka qenë më keq se shkelje flagranteve e kushteve të sigurisë teknike, gati në të gjithë parametrat. Janë të paktën dy kontrata të firmosura në kohë të ndryshme, sipas së cilave sanksionohet se firma amerikane do të bënte çmontimin e një sasie të konsiderueshme fishekësh mitralozi të tre modeleve të ndryshme dhe çmontimin e një sasie shumë të madhe predhash luftarake, po të modeleve të ndryshme. Sipas kontratave të bëra dje publike më së fundmi nga Ministria e Mbrojtjes, mësohet se kontrata e parë parashikonte si firmën nënkontraktore shqiptare, ashtu dhe një afat kohor prej 8 muajsh. Ndërsa në kontratën e dytë, të dy këto specifikime mungojnë plotësisht. E ndërkohë që deri më 15 mars kur ndodhi tragjedia, kontrata vazhdonte ende dhe nënkontraktuesit ishin po aty... Kontrata e parë Ka qenë data 6 qershor e vitit 2007, kur u lidh kontrata e parë për çmontimin e 140 milionë fishekëve të madhësive të ndryshme, që do të ishin përkatësisht të modeleve të mitralozave të modelit 7.62 mm, 100 milionë copë të tilla, ndërsa nga 20 milionë copë fishekë do të ishin të mitralozave të modeleve 12.7 dhe 14.5. Vlera e kontratës fillestare mes “Meico”-s dhe firmës amerikane ishte 1.611.200 dollarë amerikanë. E gjithë sasia e fishekëve duhej të çmontohej për 8 muaj. Dhe sipas llogarive të thjeshta, deri në muajin shkurt, e gjithë sasia duhej që të kishte mbaruar së çmontuari, por në fakt mesditën e së shtunës, më 15 mars, në qiellin e Gërdecit pati një “shi” të vërtetë plumbash, që shkaktuan dhe shumë të plagosur nga banorët e zonës. Nënkontraktuesi shqiptar parashikohej në kontratë, ashtu sikundër parashikohej edhe ndërtimi i 10 linjave të çmontimit në fabrikën e Gërdecit. Kontrata e dytë Në kontratën e dytë, e cila është firmosur mes “Meico”-s dhe “Southern ammunition company inc” (SAC-inc) në datë 28 dhjetor të vitit të kaluar parashikohej që të çmontoheshin jo pak, por mbi 1 milion predha të madhësive të ndryshme, nga modelet 20 mm deri në ato 152 mm. Kontrata e dytë e cila nuk ka të parashikuar faktin e të pasurit një firmë nënkontraktore shqiptare, nuk ka një afat të parashikuar se kur do të mbyllej. Rreth 1.035.669 predha të modeleve të ndryshme, kur 21.999 do të ishin predha të mëdha të modeleve 152 milimetra, kontrata ka pasur një vlerë prej pak më shumë se 582 mijë dollarë amerikanë. Në kontratën e dytë të nënshkruar në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, demontimi i predhave do të bëhet në kushte sigurie shumë strikte, në bazë të rregullave teknike të përcaktuara për një proces të tillë. Në fakt, sesa u zbatuan këto rregulla, këtë e kanë dëshmuar gjatë këtyre ditëve vetë ish-punëtorët e sektorëve të ndryshëm të fabrikës, si dhe vetë shkretëtira e shkatërrimi i fshatit Gërdec. Ambasada amerikane: S’kemi projekt shkatërrimi armësh me shqiptarët Qeveria amerikane nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në bazën e Gërdecit. Aktualisht nuk ka projekte shkatërrimi armësh mes qeverisë së SHBA-ve dhe qeverisë shqiptare. Ky është reagimi që vjen nëpërmjet një deklarate për shtyp të dalë nga zyra e ambasadës amerikane në Tiranë, tri ditë pas shpërthimeve tragjike të ndodhura në periferi të Tiranës, në fshatin Gërdec. Në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve, mes të tjerash theksohet se, “megjithëse qeveria e SHBA-ve ka bashkëpunuar më parë në mënyrë të suksesshme me Ministrinë e Mbrojtjes, për një sërë projektesh shkatërrimi armësh, aktualisht nuk ka projekte të tilla të përbashkëta në Shqipëri”. Më tej, ambasada amerikane sqaron në njoftimin e djeshëm për shtyp se, “mesa kuptojmë nga një deklaratë qeveritare e datës 15 mars, qeveria e Shqipërisë kishte kontraktuar me një kompani private amerikane, “Southern ammunition company inc” (SAC) nga Karolina e Jugut, për të ndihmuar për çmontimin e municioneve në këtë depo. Kontrata nuk financohet nga qeveria e SHBA-ve”. Gjithashtu, nëpërmjet po të njëjtës deklaratë, ambasada amerikane u përcjell ngushëllimet e sinqerta dhe mbështetjen e saj popullit shqiptar, veçanërisht viktimave, familjeve të tyre dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga tragjedia e fundjavës së kaluar në Gërdec. Më tej, në njoftimin e djeshëm për shtyp bëhet e ditur se ambasada e SHBA-ve ka dhënë ndihmën e saj që nga koha e shpërthimit. “Brenda tri orëve nga shpërthimi, ambasada siguroi për qendrën e trajtimit të traumave në Spitalin Ushtarak medikamente me vlerë 1.000 dollarë, të blera me fondet e USAID-it. Ekspertë amerikanë për menaxhimin e krizave pranë Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë së SHBA-ve dhe Flotës së SHBA-ve janë duke u konsultuar nga afër Qendrën e Menaxhimit të Krizës në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa një skuadër me dhjetë anëtarë, në pension, të Forcave Speciale të Ushtrisë së SHBA-ve, me përvojë të gjerë në shkatërrimin e municioneve shpërthyese dhe në mbështetje për emergjenca mjekësore dhe operacionale ofruan ndihmë për Ministrinë e Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, duke mbështetur ngritjen e Qendrës Operacionale, qendrës së medias dhe spitalit fushor, si dhe duke ndihmuar në bashkërendimin e operacioneve në vend. Komanda Evropiane ka ngarkuar pjesën e saj të flotës që të dërgojë një skuadër vlerësimi me ekspertë mjaft të trajnuar në shkatërrimin e armëve që të përcaktojnë çfarë ndihme të mëtejshme mund të ofrohet. “Po konsultohemi me qeverinë e Shqipërisë se çfarë ndihme shtesë mund të nevojitet dhe do të përpiqemi të ofrojmë atë sipas kërkesave”, thuhet në deklaratën e djeshme për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›