Maqedonia në test elektoral për marrëveshjen e Ohrit dhe integrimin euroatlantik

Shteti fqinj voton sot për përbërjen e re parlamentare- 7 parti shqiptare në garë për vendet në Kuvend
Maqedonia sot voton përbërjen e re parlamentare. Rreth 1 milion e 820 mijë qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore, duhet të zgjedhin 123 deputetët e Kuvendit të Republikës nga gjithsej 679 kandidatë të 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhje.
Fushata zgjedhore ka qenë e bazuar në problematika si zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe solli fundin e konfliktit të armatosur në 2001-shin si dhe integrimin euro-atlantik të vendit.
Maqedonia vazhdon të mbetet peng i mos respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare, vecanërisht të shqiptarëve të cilët përbëjnë rreth 40% të popullsisë. Prandaj, ky test elektoral do të shërbejë për një stad të ri të përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni.
Në këtë garë zgjedhore përballen mes tyre 7 parti shqiptare, BDI e Ali Ahmetit, PDSH e Menduh Thaçit, RDK e Rufi Osmanit, DR e Imer Selmanit, BDSH e Bardhyl Mahmutit, PPD e Sefedin Harunit dhe BDK e Hysni Shaqirit.
Nga ana e palës maqedonase përballen mes tyre dy koalicione të mëdha, ai i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe koalicioni i partive opozitare me Lidhjen Socialdemokrate, LSDM e Branko Cervenkovskit, të cilat përfshijnë të gjitha partitë e tjera të pakicave.
Do të jenë plot 1.821 122 qytetarë me të drejtë vote ata që do të zgjedhin deputetët e ardhshëm të kuvendit të Maqedonisë.
Ndërkaq procesi zgjedhor vëzhgohet nga 3700 vëzhgues vendor dhe 489 vëzhgues të huaj, kryesisht nga misioni OSBE-ODIHR.
Mësohet se do të jenë mbi 7 mijë policë janë trajnuar për të zbatuar detyrat për të ndjekur dhe siguruar në një distancë prej 100 metrash procesin zgjedhor dhe evitimin e parregullsive të mundshme.
Ndërsa ditën e djeshme votuan, të sëmurët, invalidët dhe të larguarit jashtë vendit që në total kapën shifrën e 2629 votuesve, vullneti i të cilëve do i bashkohet atij të qytetarëve të tjerë të cilët pritet të votojnë gjatë ditës së sotme.