Mlladiç në gjyq, Tadiç në bojkot
Sjellja politike e Beogradit, së jashtmi mund të shihet si kundërthënie e ndërlikuar, së brendshmi shfaqet organikisht thjeshtë. Ja rasti më i fundit: Gjeneralin Ratko Mlladiç e prangosën më 26 maj dhe e dorëzuan saora në Tribunalin e Hagës (atëherë kur i duhej Serbisë), më 27 dhe 28 maj presidenti Boris Tadiç bojkotoi samitin e organizuar në Varshavë, dhe festimet në Romë më 2 qershor, duke mos marrë pjesë në 150 - vjetorin e bashkimit të Italisë. Arsyeja e vetme e pakënaqësisë, refuzimit dhe vetndalimit ishte se, presidenti i Polonisë, Bronisllav Komorovski dhe presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, patën ftuar presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Leximi i sjelljes politike të bojkotit të përsëritur, kësaj here me ngjarje të mbimbuluara në kohë, është ky: Bashkimi Europian, ne, Beogradi, i pranuam kushtet tuaja për integrim – ia dorëzuam Hagës Sllobodan Millosheviç, Radovan Karaxhiç e Ratko Mlladiç, edhe ti, Bruksel, merre parasysh kushtin tonë – për Kosovën sakrifikojmë integrimin.
Çfarë përpiqet Kosova për shtetin e vet e çfarë punon Serbia për Kosovën si “territor të saj”, nuk janë thjeshtë kahvendosje të ndryshme, por kemi të bëjmë me strategji aq të kundërta sa që, qartë e më qartë shihet se synimi i politikës serbe është ky: nëse me luftë u përpoq ta spastronte tërësinë e popullit nga territori, pas lufte synon të asgjësojë tërësinë e territorit kundër popullit. Këso mendimesh nuk vijnë nga ndjesi lodhjeje, e përvjedhur prej përballjes së gjatë dhe të ashpër - për jetë a vdekje - me këtë shtet, por janë shprehja më racionale: për të mos pasur Republikë të Kosovës në jug, Serbia e hedh pa droje në tryezën botërore të politikës dhe e zhvillon ideologjinë e ndarjes, duke spekuluar edhe me ndjenjën e shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell ka thënë para pak ditësh se, “Presidenti Tadiç ka folur hapur për këtë zgjidhje”, të cilit ai i përgjigjet se, “Ndarja është një qasje krejtësishte e paparanueshme” dhe se “ është paksa zhgënjyese që nuk ka më shumë modernizëm në mënyrën e të menduarit në Beograd”. Por, ministri i brendshëm Ivica Daçiç, përveçse nuk përmbahet, flet për asgjësim të shtetit të Kosovës, me masakrim të territorit të saj, duke thënë se, “Tentuam me luftë që të mbajmë Kosovën, nuk ia dolëm. Prandaj po flas për caktimin e kufijve mes dy shteteve fqinje – Serbisë dhe Shqipërisë”, prandaj “Nevojitet caktimi i kufijve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, ky është opsioni i vetëm real. Serbia nuk është dashur të njohë askënd tjetër për negociator nga pala tjetër përveç Shqipërisë. Për këtë arsye ne jemi me të vërtetë naivë që mendojmë se Kosova do të mbijetojë si shtet i mëvetësishëm, i pavarur”, tha për të përjavshmen beogradase NIN.
Ky shtjellim mbi ndarjen, ka diçka të re në këto kohë, kur vërehet një ansambël veprimesh të njëkohshme serbe, të cilat kanë dy pamje: nga njëra anë, Serbia, në mënyrë të vjetëruar, mban në shenjë Kosovën dhe e godet pa ndërprerë për ta asgjësuar, në anën tjetër, Beogradi sforcërisht i shfaqet Brukselit si vend i gatshëm për t’u anëtarësuar sa më parë në Bashkimin Europian. Të marra së bashku, të dy politikat që dalin nga të njëjtat zyra e dyer, të shqyrtuara në simbiozën e tyre biologjike brenda së njëjtës strategji, e sjellin këtë shtet të duket si i Ballkanit të vjetër.
Dhe ja sepse: Beogradi ka pranuar të bisedojë me Prishtinën, për ato që Kosova dhe ndërkombëtarët i cilësojnë çështje teknike, në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Ndërsa Kosova merr pjesë si shtet, siç është, i njohur botërisht, Beogradi hedh si rastësisht edhe pikëpamje se bisedimet nuk janë vetëm për çështje teknike. Dhe, ndërsa pala e tyre niset për në Bruksel të bisedojë me palën e një shteti tjetër, zyrtarët serbë nguten të përsëritin se bisedimet nuk janë njohje e të ashtuquajturës pavarësi. Shefi i palës serbe Borko Stefanoviç shkoi për vizitë në Prishtinë, zyrtarët në Beograd u ngutën të sqaronin se kjo vizitë nuk do me thënë njohje e shtetit të Kosovës. Ndërsa, siç thuhet, po shkohet drejt zgjidhjes së disa problemeve teknike mes dy vendeve, Beogradi i mshon ideologjisë së ndarjes, duke përmenduar një Shqipëri të Madhe me copra të bashkuara nga copëtimi që Serbia kërkon t’i bëhet Kosovës. Nuk është teprim të thuhet se Beogradit i përgjaken sytë të gjendet në të njëjtën tavolinë samitesh apo foltore festimesh me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Më 27 dhe 28 maj u mblodh në Varshavë samiti i vendeve të Europës Qendrore, ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA, Barak Obama. Ndërsa sapo u mësua se presidenti polak Bronisllav Komarsovski kishte ftuar presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, presidenti serb Tadiç vendosi të rrinte në shtëpi, duke sfiduar gjithë ato personalitete botërore. Në festimet e 150-vjetorit të bashkimit të Italisë, mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Për bojkotin e dyfishtë e të njëpasnjëshëm të presidentit serb,Tadiç, vetëm se atje u ftua presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlen kritika e drejtpërdrejtë e ministrit të jashtëm polak, Radek Sikorski, i cili tha se Serbia duhet të ”tregojë se ka mundur demonët e së kaluarës së saj”. Vështirë të ketë ndonjë popull tjetër në botë, përveç shqiptarëve, të kuptojë bojkotin shtetëror kundër të gjithëve: politika vetpërjashtuese, mospjesëmarrëse dhe e vetizolimit të Shqipërisë komuniste, aty ku merrnin pjesë amerikanët, sovjetikët dhe titistët ka qenë aq marroke, pa vizion dhe mbeti anekdotike saç është e marrë sot politika e Beogradit, e cila u rri larg vendeve ku ngrihet flamuri i shtetit të Kosovës apo tavolinave rreth të cilave ulen përfaqësuesit e ligjshëm të saj.
Kosova është shtet i pavarur dhe pavarësia mbetet kompromis historik i popullit të vet. Serbia nuk i bashkohet këtij kompromisi maksimal të shqiptarëve, por e bindur se nuk mund ta ketë më Kosovën pjesë të territorit të saj, lufton ta asgjësojë si shtet përmes sallatimit. Dhe për këtë kryejnë sjellje edhe si këto: Tadiç, për në BE, e dorëzoi Malladiç në gjyq, Tadiç, kundër Kosovës, u bën bojkot.
Ky lloj shteti nuk mund të quhet normal.