E Diel, 1 Nëntor 2026

Juristët: Lulzim Basha merr mandatin e kryebashkiakut brenda 10 ditëve

05-06-2011 / Gazeta 55

Flet analisti Artan Hoxha dhe juristi Ylli Manjani: Nuk ndryshohet më vullneti i shprehur nga qytetarët e Tiranës. Mund të ketë diskutime teknike por nuk mund të ketë më ankimime në Kolegjin Zgjedhor


Analisti Artan Hoxha thotë se vendimi i së premtes i Kolegjit Zgjedhor i ka siguruar kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha, fitoren në zgjedhjet në Tiranë. Kjo pas rrëzimit të kërkesës së selisë rozë për të shpallur pavlefshmërinë absolute të vendimi 709, datë 23 maj, i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendim që shpallte z. Basha fituese me 81 vota më shumë sesa z. Rama, i cili garonte për herë të katërt për këtë post.


“Basha po shkon, mesa duket i sigurt, drejt postit të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte një hap që përcakton hapin përfundimtar. E pashë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, si një fitore të drejtësisë, pasi vlerësojë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është një vendim i paqortueshëm. Ajo ç’ka u krye ishte një hap i rëndësishëm procedural, i cili çon në një tjetër vendim të pritshëm të Kolegjit, i cili do të bazohet, vetëm dhe ekskluzivisht, te vlefshmëria apo pavlefshmëria e votave të hedhura në kutinë tjetër, për vlefshmërinë e të cilave unë mendoj se nuk ka asnjë dyshim. Ato janë vota të vlefshme dhe për pasojë z. Basha kualifikohet si kryetar i bashkisë së Tiranës me 78 vota, përballë kandidatit tjetër, Edi Rama.  


Përfaqësuesi ligjor i LSI-së pranë KQZ-së, Ylli Manjani


Në analizën e tij, Ylli Manjani përfaqësues ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se ajo që do të zhvillohet në Kolegj do të jetë thjesht procedurë, pasi fitoja e z.Basha në Tiranë është e sigurtë.


“Praktikisht Z.Basha sot është fitues i Bashkisë së Tiranës. Jo se e ka vendosur Kolegji, jo se e ka vendosur KQZ-ja, por sepse kështu e kanë vendosur qytetarët e Tiranës dhe pikërisht këtë ka thënë Kolegji. Kanë mbetur edhe disa vendime të tipit procedural, dmth kanë mbetur në thelb për të vendosur nëse Z.Basha ka fituar me +81 vota apo me +78 vota. Praktikisht dhe ligjërisht nuk mund të ketë asnjë ndryshim më, pra nuk ndryshohet më rezultati i shprehur nga vunneti i qytetarëve të Tiranës. Mund të ketë diskutime juridike, teknike por mund të them se nuk ka më bazë ankimore për në Kolegj Partia Socialiste”- u shpreh Manjani.


Në një përllogaritje që i bën z.Manjani kohës për shqyrtimin e ankimimit, ai thotë se brenda 10 ditësh fituesi i bashkisë së Tiranës do të shpallet zyrtarisht.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›