Lulzim Basha kryetar bashkie; shprehja e drejtë e vullnetit të qytetarëve

Shpallja e Lulzim Bashës kryetar të bashkisë së Tiranës edhe nga Kolegji Zgjedhor, e bën kandidatin demokrat të gatshëm për të marrë postin e kryebashkiakut. Vendimi i 23 majit i KQZ dhe i pasuar nga ai i 3 qershorit nga Kolegji Zgjedhor i Apelit, certifikoi fitoren e kandidatit demokrat, duke lënë në fuqi rezultatin e miratuar nga administrata e zgjedhjeve. Në garën për të udhëhequr Tiranën Partia Demokratike dhe aleatët e saj përcaktuan Lulzim Bashën si pretendentin për qytetarin e parë të Tiranës. Përmbledhtazi në enciklopedinë në internet Lulzim Basha prezantohet si jurist dhe politikan shqiptar; ministër i suksesshëm i këtij vendi për shkak të ndërtimit të rrugës së “Kombit”, autostradës Durrës-Kukës-Morinë dhe aktivitetit të tij në diplomacinë shqiptare me produkte konkrete: Shqipëria anëtare e NATO-s, shqiptarët udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërsa nga ana tjetër, Partia Socialiste dhe aleatët e saj prezantojnë Edi Ramën si të vetmen alternativë edhe pse garonte për herë të 4-ët si kandidat për kryetar të bashkisë së kryeqytetit. Në vitet ‘92-’97, Edi Rama ka qenë një prej publicistëve më të ashpër ndaj Partisë Demokratike. Pas një ftese të ish kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano Edi Rama do të ulej në karrigen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998, ndërsa në vitin 2000 do të prezantohej si kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës, post të cilin do ta mbante për 3 mandate. Së fundmi egoja e tij, bëri që të ngjisë shkallët në selinë rozë, ku mori edhe postin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Kandidati fitues Lulzim Basha
Fushata nis shumë ritmike nga ana e kandidatit demokrat Lulzim Basha. Për 8 javë me radhë ai zbriti në terren dhe takoi njerëz të shtresave të ndryshme, përshkoi lagje dhe rrugë të tëra, duke dëgjuar problemet e tyre të reja dhe të vjetra. “Unë do të ul taksat e bashkisë dhe duke bërë këtë pronari juaj do ketë më shumë mundësi t’ju paguaj ju. Do ketë më shumë para për të paguar punonjësit dhe për të rritur aktivitetin. Unë do punoj me mish dhe me shpirt për të realizuar objektivat që iu kam premtuar”- do të deklaronte Lulzim Basha në takimet e tij me qytetarët. Edhe kandidati Edi Rama do të zhvillonte takime me qytetarët, por jo për t’iu premtuar zgjidhjen e problemeve të tyre, por për të kthyer fushatën elektorale në një lëvizje kryekëput politike, duke sulmuar kundërshtarin si dhe akuzuar qeverinë. “Në rast se është Saliu s’ka lek, kur të ikë Saliu do vinë dhe lekët”- ishin disa prej frazave të shkëputura gjatë takimeve që Rama ka zhvilluar me qytetarët. “Në 8 maj do t’i kërkoni llogari me votë për ujin, për dritat, për pensionet për ilaçet, për vrasjet për vjedhjet dhe për rrenat. Në maj, të gjitha në 8 maj”- do t’i drejtohej qytetarëve Rama. Ndryshe nga kandidati socialist, kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha solli në këto zgjedhje në format të ri takimesh elektorale, “Toënhall miting”, një format i cili ishte aplikuar në SHBA nga presidenti aktual Barack Obama gjatë fushatës së presidencialeve. Basha u këshillua nga ekspertë dhe njerëz kompetentë, me urbanistë dhe specialistë të urbanistikës dhe probleme e shqetësimeve të tjera të qytetit. Duke përdorur një gjuhë qytetare, ai deklaroi që në fillim dhe nguli këmbë se gjatë fushatës dhe më pas do të merrej me problemet e qytetit dhe duke i shtrirë dorën palës tjetër për bashkëpunim. “Në krye të herës dhe në fund të fundit ne nuk harrojmë kurrë se ne, miq apo kundërshtarë jemi në njëjtën kohë qytetarë të këtij qyteti”- do të shprehej Basha. Nga ana tjetër, Edi Rama do të organizonte një tur elektoral të mbushur nga fryma konfliktuale duke tentuar ta konsiderojë kandidatit demokrat si in-ekzistent. Kjo konstatohej edhe nga spotet televizive të Partisë Socialiste, ku në asnjë sekuencë të tyre nuk flitej për Tiranën e së ardhmes, por se si të koncentroheshin akuzat politike ndaj kandidatit Basha dhe kryeministrit Berisha. Për Edi Ramën, këto zgjedhje ishin trampolinë në rrugën drejt ëndrrës së tij për Kryeministër. “Jo thjesht i takon asaj që ka ndodhur para 2 vjetësh ku u vodhën votat, por edhe në funksion të mirëqeverisjes në këtë vend. Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje politike për të përcaktuar drejtimin e politikës kombëtare mbi territorin e Shqipërisë”- deklaronte Edi Rama para anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve socialistë. E njëjta gjë do të vazhdonte edhe pas procesit të votimit. Kandidati Basha bënte thirrje për pritjen e rezultatit përfundimtar si dhe pranimi e çfarë do lloj rezultati që do të lindte nga vullneti votues i qytetarëve. Por, Edi Rama do të dilte menjëherë në një konferencë për shtyp, duke kërkuar shpalljen e tij fitues, edhe pse procesi s’kishte përfunduar ende. “Cili do të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë, shpresoj që edhe Z.Rama të bëjë të njëjtën gjë”- deklaroi Z.Basha në daljen e tij për shtyp pas përfundimit të numërimit në Tiranë. “Nesër politika për të vazhduar falenderimet dhe respektimet, një fitore që kurrë s’kishte ardhur më e madhe në oborrin e Partisë Socialiste”- tha Rama duke shpallur veten fitues të zgjedhjeve, në një kohë kur procesi s’kishte përfunduar ende.
Ambasadorët
Të gjithë aktorët ndërkombëtarë bënë thirrje për maturi si dhe lënien e institucioneve ligjore që të bënin punën e tyre. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, në një dalje për mediat bëri thirrje për uljen e tonaliteve konfliktuale si dhe lënien e institucioneve ligjore në zbatimin e ligjit. “Ne bëjmë thirrje për qetësi. Duhet t’i përmbaheni kornizës ligjore si dhe të prisni deri në fund finalizimin e procesit. Është e rëndësishme për popullin tuaj që të ruhet qetësia”- ka deklaruar ambasadori Arvizu. Kreu i presidencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Ëollfarth do të shtonte se kontestimet apo ankimimet lidhur me procesin duhet t’i drejtohen organeve ligjore. “Në aspektin politik ne shprehim që të dyja palët duhet të shmangin thirrjet për demonstrata apo dhunë nëse nuk u pëlqen rezultati. Nëse ka kontestime për numërimin e votave në qytetin e Tiranës, unë mendoj se çështja duhet t’i kalojë organeve kompetente që do të ishin gjykatat administrative dhe një gjykatë e shkallës së dytë”- tha Ëollfarth. Kreu i delegacionit të misionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, do sillte në vëmendjen e palëve politike se procesi zgjedhor përfundon kur certifikohet rezultati. Reagimi i shefit të BE-së në Tiranë do të vinte pas deklaratave të njëpasnjëshme të Edi Ramës se ai ishte fitues i zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. “Nuk ka ende një rezultat përfundimtar kështu që duhet ende të presim. Mendoj se duhet të jemi të durueshëm, procesi përfundon kur certifikohet rezultati si dhe shpallet fituesi”- theksoi Sequi.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor: Basha fitues
Të gjithë i drejtuan sytë nga Kolegji Zgjedhor i cili la në fuqi fitoren e Lulzim Bashës, duke legjitimuar rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili e shpall kandidatin demokrat 81 vota para atij socialist. “E gjithë kjo betejë ka qenë pikërisht për këtë, që zëri juaj të dëgjohej. Ju bëj thirrje që të dëshmojmë durim dhe qytetari, sepse këtu është ligji dhe duhen respektuar institucionet deri në certifikimin përfundimtar të këtij rezultati”. Nëse Lulzim Basha shprehet se do të respektojë çfarë do lloj verdikti të qytetarëve, Edi Rama kthehet pas në histori, duke kundërshtuar përsëri rezultatin zgjedhor. “Për ne është absolutisht i pa pranueshëm. Do të kërkojmë hap pas hapi të drejtën tonë dhe duke u përgatitur ditë pas dite për rezistencën e pashembullt në rast se rezultati s’do jetë ai që shqiptarët dinë dhe mësuan”- do të ishte refreni i Edi Ramës në çdo dalje të tij për mediat. Ai tha edhe fundjavën e kaluar se nuk njeh as vendimin ligjor të Kolegjit Zgjedhor, pas ankimimit të zhvilluar në këtë institucion.
Partia Demokratike fiton Tiranën
Diferenca prej 20 mijë votash e 4 viteve më parë në Tiranë, tashmë është zhdukur, duke u kthyer në një epërsi të lehtë të Partisë Demokratike me kandidatin e saj Z.Lulzim Basha. Qytetarët votuan njeriun që iu premtoi një Tiranë tjetër, një qytet të zhvilluar dhe modern, me rrugë të asfaltuara, gjelbërim, të ardhme më të mirë për qytetarët, punësim dhe një standard të ri shërbesash të pushtetit vendor ndaj qytetarëve.