E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, nën ethet e arit

Kërkues bashkëkohorë, në gjurmë të pasurive të fshehura gjetkë, zhyten në liqene, hyjnë e zbresin nëpër shpella dhe gërmojnë thellë në tokë në kërkim të qypave me dukate e monedha ari të kohës se mbretërve romakë. Ndërsa ata që nuk kanë para, i kërkojnë me ngulm thesaret, për të shpëtuar nga varfëria, ata që kanë para, të kamurit, thjesht, e bëjnë këtë për aventurë. Intelektualë, të punësuar e të papunë, argjendarë e taksistë, mjekë e inxhinierë, të rinj e të vjetër, të gjithë janë vënë në kërkim të arit të fshehur, duke profilizuar kështu "Indiana Xhonsin" maqedon të kohëve moderne. Të gjithë besojnë se diku, këtu ose aty pranë, ndodhet i fshehur thesari që, mbas një "gjumi" shumëshekullor, pret të zbulohet nga dikush. "Asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të gjejë njeriu, ndërkohë që ari ndodhet i fshehur në tokë ose gjetkë. Në Maqedoni, ka shumë thesare të tilla, vetëm se duhet të gjendet vendi se ku është fshehur ai", thotë Nikolla D. që prej shumë vitesh kërkon arin e lashtë. Ai është i bindur se, një ditë, do të arrijë ta gjejë arin e fshehur dhe se, kështu, do të ndryshojë edhe jeta e tij.

Kërkuesit modernë në Maqedoni janë vënë në kërkim të dy llojeve thesaresh, njeri - turk, kurse tjetri daton që nga koha romake. Por, sidoqoftë, ata kanë frikë nga anathema (mallkimi) i turqve që e kanë mallkuar atë që do ta gjejë arin që ata e fshehën, gjatë largimit të tyre nga territori maqedon, me shpresën se do ta zhgroposin dhe do ta marrin një ditë, kur të kthehen. Rreziku, sikurse thuhet, rrethon edhe thesaret romake, pranë të cilave, ata që i fshehën, kanë vendosur helme dhe lëndë marramendëse që i "ruajnë" ato. Dhe, kështu, ndërsa ata që mezi "lidhin të dy fundet së bashku në jetë", pra të varfrit, i kërkojnë thesaret, për të shpëtuar nga mospasja, për të kamurit kërkimi i thesareve është një aventurë dhe mundësi për të rritur adrenalinën në gjak. Në kërkim të thesareve të lashta, kërkuesit e tyre, në shumë raste, të pajisur me aparate për evidentimin e sendeve metalike, gërmojnë thellë në tokë, hyjnë e zbresin nëpër shpella e gropa të thella dhe zhyten në ujërat e liqeneve.

Megjithëse të papërgatitur fizikisht për përpjekje të tilla të lodhshme, ata bëjnë gjithçka, duke u stërmunduar, që të arrijnë deri te qëllimi që i kanë vënë vetes. "Mendojnë se mund ta bëjnë këtë, por, në shumë raste, nuk kanë bërë më shumë sesa kanë lënduar veten gjatë kërkimeve të tyre të palodhshme. Edhe pse, deri tani, u ka munguar suksesi, meazallah se heqin dorë nga kërkimet e tyre të çmendura", thotë alpinisti dhe spelologu maqedon, Millan R., të cilit kërkuesit modernë të thesareve të vjetra i kërkojnë ndihmë gjatë zbritjes nëpër shpella ose gropa të thella. Sipas tij, që të gjejnë thesaret, kërkuesit kontrollojnë, pëllëmbë për pëllëmbë, në faqet e brendshme të shpellave ndonjë shenjë që do t‘i çonte deri te thesari i supozuar. Bashkëpunojnë me ata që kanë "të njëjtën mendje" në vendet e tjera të Ballkanit dhe cilësia e vetme e tyre është - mosdorëzimi. Si shembull të këmbënguljes së kërkuesve të thesareve mund të sillet një shtëpi e braktisur, në fshatin Stari Grad (qyteti i vjetër) të Veleshit, në të cilën është gërmuar, poshtë e lart, shumë herë dhe është nxjerr aq shumë dhe, saqë ajo nuk shihet më. Banorja e Veleshit, Malina Nikollova, që ka lindur në këtë shtëpi, pretendon se gjyshi i saj, që ka qenë kryeplak i fshatit, kishte marrë në dorëzim nga turqit që ishin në ikje e sipër, 12 qypa me ar. Këtë histori e dinte i gjithë fshati dhe, për këtë arsye, kjo shtëpi ka qenë shumë herë në shënjestër të kërkuesve të thesareve. "Është gërmuar pesë herë brenda dhe rreth shtëpisë dhe, po aq herë, ne kemi bërë denoncime në polici për këtë vandalizëm. Por, deri tani, askush nuk ka gjetur gjë. Si ka mundësi që ata gërmojnë ditën për diell dhe askush nuk e di se cilët janë këta njerëz, nga vijnë dhe policia nuk merr asnjë masë", thotë me habi ajo.

Kërkuesit e thesareve kërkojnë, madje, edhe harta për vendndodhjen e thesareve. Një rast i tillë në Veleshko përfundoi, para tre vjetësh, me vrasjen e Vukashin Kaevskit nga Shkupi dhe ajo (vrasja) ka mbetur pa u sqaruar ende, pasi Eftim Medarski, për të cilin dyshohej se ishte autori i saj, vdiq gjatë kohës së gjyqit. Ky rast dhe gjyqi që e shoqëroi atë, ngjalli një interesim të madh në vend, pasi në të si dëshmitarë dolën argjendarë, aventurierë dhe të huaj, pasion i të cilëve ishte i njëjtë - kërkimi i thesareve të humbura, poshtë e lart, Maqedonisë. Sipas akuzës, vrasjen e mësipërme e parapriu një kërkim intensiv i një thesari me ar, kur te Medarski erdhën dy argjendarë nga Shkupi që filluan ta pyesnin atë hollësisht lidhur me konfiguracionin e një vendi të quajtur Shuplji Kamen, ku ata mendonin se mund të ishte fshehur një thesar ati. Ai (Medarski) nuk e njihte mirë atë vend, për të cilin e pyetën, por, më pas, një nga dy argjendarët, Kaevski, i tregoi një hartë të këtij vendi. Atëherë, Medarski i kërkoi Kaevskit që t‘i jepte hartën, por ky i fundit nuk ia dha dhe, kështu, u grindën, derisa ai e vrau me revole mikun nga Shkupi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›