E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi, 8 kompani garojnë për INSIG-un

Odiseja e privatizimit të INSIG pritet të mbyllet sot kur është parashikuar të zhvillohet tenderi për shitjen e 61 për qind të aksioneve që zotërohen nga qeveria. Procesi i privatizimit ka munduar prej më shumë se katër vjetësh palën shtetërore, e cila për arsye të ndryshme ka shtyre tri herë afatin për shitjen e aksioneve. Burime zyrtare nga Ministria e Financave thanë për "Shqip", se i gjithë procesi do të mbyllet këtë muaj të fundit të vitit, ndërsa tenderi i parashikuar të zhvillohet sot do të përcaktojë kompaninë fituese për zotërimin e 61 për qind të aksioneve. Më shumë sesa lajm pozitiv për qeverinë, për publikun mbart një mister më vete. Vendimi i fundit për privatizimin e INSIG është marrë në fillimin të vitit 2008, e cila shtynte afatin për shitjen e aksioneve. Pas kësaj, asnjë VKM e qeverisë nuk është bërë publike rreth formulës së privatizimit ose afatit se kur do të bëhet tenderi i hapur ndërkombëtar. Mungesa e transparencës bëhet edhe më e madhe kur mëson faktin se në garë qenkan tetë kompani, të cilat janë kualifikuar që më 10 shtator 2008. Qeveria duhet të kishte njohur publikun rreth procedurave që po ndiqeshin për shitjen e të parës dhe të vetmes shoqërisë së sigurimeve, ku shteti zotëron aksione. Aktualisht, nuk dihen se cilët janë tetë kompanitë, por mësohet se kapitali i tyre arrin në miliarda euro. Një pjesë e atyre vijnë nga Bashkimi Evropian, ndërsa një pjesë tjetër nga vendet arabe. Procesi i privatizimit të INSIG konsiderohet jo transparent për faktin se për tre vite rresht shoqëria nuk ka bërë të ditur asnjëherë bilancin financiar të saj. Aktualisht, nuk dihet si është gjendja financiare e kompanisë, cili është niveli i të ardhurave, humbjet etj. Në të paktat raste kur emri INSIG shfaqet në media lidhen me shkeljet e publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ecuria

Qeveria zotëron 61 për qind të aksioneve te shoqëria e sigurimeve INSIG, ndërsa pjesa e mbetura nga BERZH dhe IFC, me nga 19,5 për qind secila. Ortakët e qeverisë tek INSIG nuk kanë vendosur ende se si do të veprojnë me aksionet që zotërojnë, por në parim janë shprehur "pro" shitjes së tyre. Çdo gjë varet nga rezultati i tenderit që zhvillohet sot. Tetë kompanitë kanë firmosur me Ministrinë e Financave një marrëveshje tip-konfidenciale, duke u zotuar që të ruajnë çdo të dhënë rreth performancës financiare të shoqërisë së sigurimeve. Nga muaji shtator e deri më tani, kompanitë e interesuara për privatizimin e INSIG mund të kenë ofruar një çmim sigurie për pjesëmarrjen e tyre në tender. Pa dyshim që kompanitë e huaja janë njohur me bilancet financiare të INSIG-ut, e cila shtrihet deri në Kosovë dhe Maqedoni. Tenderi për privatizimin e INSIG ka dështuar disa herë radhazi, ku më së shumti arsyeja kryesore lidhej me mungesën e konkurrueshmërisë. Pra, për INSIG-un nuk kishte shumë interes, edhe pse disa kompani sigurimesh në Shqipëri kanë shitur aksionet e tyre te shoqëri të njohura evropiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›