E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, përkundër rezistencës neokomuniste, provon sërish me një ligj të ri për Lustracionin

10-07-2012 / Gazeta 55

Sipas mazhorancës me ligjin e ri do të pastrohen nga e kaluara personat që ushtrojnë poste të larta publike. Opozita ka bojkotuar miratimin e ligjit të ri me arsyetim se me të do të luftohen kundërshtarët politikë. Katër vite pas miratimit të ligjit për lustrim, për shkak të parregullsive dhe interpretimeve të ndryshme, parlamenti i Maqedonisë u detyrua të sjellë ligj të ri për lustrimin. Ky ligj do të përfshijë të gjithë bartësit e funksioneve publike, drejtuesit e pushtetit lokal, akademikë, gazetarë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe për herë të parë edhe afaristët nga periudha e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Ligji për lustrim është miratuar pa prezencën e opozitës maqedonase andaj vlerësohet se ai vështirë se praktikohet, meqë nuk është arritur konsensus midis të gjitha partive politike. “Është e papranueshme që një ligj i këtillë të miratohet pa konsensus. Vlerësoj se është kompromentuar ideja e lustrimit, me këtë ligj do të luftohen kundërshtarët politikë”, vlerëson Stojan Andov iniciator i ligjit të parë për lustrim. Të gjithë bartësit e funksioneve publike duhet të përballen me të kaluarën, ligji për lustrim mundëson që dosjet të shpallen në opinion, thotë Silvana Boneva deputete e VMRO-DPMNE-së. “Ky ligj do të mundësojë të mos fshihet asnjë spiun sepse asnjë dosje nuk do të ketë karakter të kualifikimit të besueshëm”. Partitë politike shqiptare unanimisht kanë mbështetur miratimin e ligjit për lustrimin. “Nuk kemi problem me pastrimin e së kaluarës, parimisht kemi thënë se ky proces do të jetë i kompletuar nga momenti që personat të cilët kanë pësuar të mund të gjejnë satisfaksion”, vlerëson Talat Xhaferi deputet i BDI-së.
Maqedonia duhet të ndjekë standardet evropiane të vendeve që kanë kaluar nëpër procesin e lustrimit. Sipas profesorit universitar Nazmi Maliqi, me ligjin e mëparshëm për lustrim nuk u respektuan sa duhet standardet evropiane. “Përmes ketij ligji duhet të vihen korniza të shëndosha si shkencore, akademike dhe intelektuale për t`i dhënë kuptim lustrimit. Të ketë një vlerësim profesional dhe mendoj se me këtë mund të rrumbullakësohet dhe të kryhet edhe në vendin tonë lustrimi ashtu siç ka ndodhur në Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki”, shprehet Maliqi. Ligji i ri për lustrim ka shkaktuar përplasje edhe te anëtarët e komisionit për lustrim. Një pjesë e tyre vlerëson se ai është antikushtetues. Por kryetari i këtij komision Tome Haxhiev mendon ndryshe. “Ne nuk jemi ata që vlerësojme se ligji është apo jo kushtetues, ne jemi komision që duhet të zbatojmë ligjin”. Socialdemokratët opozitar kanë paralajmëruar se në fillim të vjeshtës do ta kontestojnë ligjin për lustrim në gjykatës kushtetuese.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›