E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkëpunim për rritjen e rolit të shqiptarëve, Tirana qendra e rajonit”

10-07-2012 / Gazeta 55

Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nënvizuar rëndësinë e një bashkëbisedimi të hapur, për çështje të rëndësishme që do të ndikojnë jo vetëm në të ardhmen e shqiptarëve në Evropën Juglindore, por të krejt Ballkanit.
Në përshëndetjen e tij gjatë Konferencës me Temë “Fqinjët e Shqipërisë”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Basha, deklaroi se, bashkëbisedimi i hapur për tema si roli i shqiptarëve në Ballkan sot, marrëdhëniet e tyre në fushën e kulturës, arsimit, tregtisë,  etj, do të ishte i rëndësishëm. “Cili është roli i shqiptarëve në Ballkan sot, kur pozita e tyre e transformuar brenda një kohe të shkurtër, si kurrë më parë, me Shqipërinë që feston këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë, anëtare e NATO-s dhe me hapa të sigurt drejt Bashkimit Evropian, me Kosovën e pavarur, me shqiptarët e Maqedonisë 11 vjet pas marrëveshjes së Ohrit, me një bilanc që jam i sigurt që do të bëhet sot. Çfarë mund të përmirësojmë më tej në fushën e bashkëveprimit ekonomik, bilanceve tregtare mes njëri- tjetrit dhe aftësisë për të nxitur prodhimin dhe ekonominë e re, si një nga format kryesore të punësimit dhe mirëqenies. Çfarë po bëjmë në fushën e arsimit, kulturës, fusha ku ajo që na bashkon si komb,  gjuha dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët e bëjnë më të lehtë bashkëveprimin”, u shpreh Basha.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në konferencë, kryebashkiaku i Tiranës, vuri në dukje se “a duhet të kenë shqiptarët kompleksin për të rritur dhe intensifikuar bashkëpunimin në çdo fushë, për ta bërë atë më të gjerë, më intensiv për shkak të pyetjeve që ngrihen here pas here në dhomat e studiuesve dhe jo vetëm, mbi rrezikun e Shqipërisë së madhe. A ekziston vërtet një projekt i tillë dhe a është rrezik ose jo për fqinjët dhe perspektiven evropiane të rajonit. Këto janë pyetje që na preokupojnë të gjithëve”.
Për kreun e Bashkisë së Tiranës, Basha, një bashkëbisedim i hapur dhe pa komplekse, do të ishte një hap i mirë, me përfitues jo vetëm të gjithë ata që përfaqësojmë në këtë dhomë,  por edhe me një përfitim të drejtpërdrejtë për qytetin e Tiranës,  qytet që është  rritur me ritme të jashtëzakonshme këto 20 vitet e  fundit, që po ashtu përballet me probleme dhe sfida që kërkojnë përgjigje. Janë përgjigje që Tirana dëshiron t’i parashtrojë jo vetëm për banorët e saj, por për të gjithë shqiptarët, të gjithë  kombin dhe rajonin,  në të cilin pretendon që në dekadën e ardhshme të jetë qendër kryesore”, tha më tej, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›