E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, si një zbulesë e injektimit të identitetit krahinor me veshje nacionale

Bullgaria dhe Maqedonia paradoksalisht pretendojnë njëkohësisht në përkatësi etnike bullgare respektivisht maqedonase për heronjtë e njëjtë kombëtarë, shkrimtarët e njëjtë nga e kaluara, shenjtorët e kishës ortodokse, gjuhën e folur e cila është gati identike, kulturën popullore e deri tek mitet popullore. Kjo në radhë të parë ka të bëjë me gjuhën gati identike, por shumë më tepër me figurat e mëdha historike nga e kaluara të cilët janë njëkohësisht edhe bullgare edhe maqedonase! Që nga Shën Kirili, Shën Metodi, Shën Naumi e Car Samuili, Krali Marko e Karposhi, e deri tek Goce Dellçev, Nikolla Karev e Kristo Tatarçev, për të numëruar disa shembuj të paktë, gjithë këto figura historike janë për bullgarët bullgarë, kurse për një pjesë sllavishtfolëse të qytetarëve të IRJM-së që e mban veten për maqedonase në aspekt etnik, këta janë maqedonas. Një numër i ngjarjeve të mëdha historike nga e kaluara si Mbretëria e Samulit, beteja e Maricës, kryengritja e Karposhit, kryengritja e Kresnës, kryengritja e Razlovit, kryengritja e Ilindenit, etj merren si ngjarje madhore si në historinë bullgare ashtu edhe në historinë “maqedonase”.
Qëndrimi zyrtar i shtetit bullgar ka qenë në vazhdimësi mohues ndaj ekzistencës së popullit të veçantë maqedonas si i ndryshëm nga populli bullgar. Bullgaria me të drejtë vë pikëpyetje të mëdha tek shumë figura e ngjarje historike nga e kaluara, të cilat e demaskojnë seriozisht “maqedonizmin” si identitet të veçantë brenda sllav. Qeveritë e ndryshme maqedonase të periudhës së pavarësisë kanë bërë përpjekje për imponimit e qëndrimit të tyre zyrtar për ekzistencën e një kombi të veçantë maqedonas krejtësisht origjinal dhe të ndryshëm nga ai bullgar. Në këtë drejtim më konsistente dhe këmbëngulëse kanë qenë rrymat e majta, të cilat gjeografikisht, etnikisht dhe shpirtërisht ndihen më afër Beogradit. Rrymat djathtiste nga ana tjetër janë më të vagullta dhe të mjegullta në drejtim të refuzimit kategorik të opsionit bullgar. Kjo shihet qartë edhe gjatë dy tri viteve të fundit kur në qeveri janë elementet e VMRO/DPMNE-se. Edhe pse kryeministri aktual z.Gruevski në një mënyrë të çuditshme përpiqet që në forma të ndryshme të potencojë veçantësinë kombëtare të popullit maqedonas duke zbuluar madje edhe teori qesharake për prejardhjen e sllavëve të sotëm nga maqedonasit antikë, përsëri nuk shihet një këmbëngulje e veçantë refuzimi ndaj tendencave pro-bullgare në vend. Këtë e bëri më se të qartë kryeministri bullgar Bojko Borisov kur i tha kryeministrit të Shkupit Nikolla Gruevski në sallën kryeministrore në Sofje se, “Maqedonia dhe Bullgaria përpos që janë fqinj, janë edhe vëllezër”. Kjo është një ndjenjë e veçantë historike e cila mbizotëron tek populli bullgar dhe nuk mund të fshihet lehtë. Nga ana tjetër, përgjigja diplomatike e Gruevskit se “vendet tona janë fqinjë, kurse çështjet e lidhura me historinë duhet tu lihen historianëve”, reflekton më së miri situatën kaotike dhe ndjenjën shumë të turbullt të sllavëve të sotëm në IRJM rreth identitetit të tyre kombëtar. Situata bëhet akoma më e komplikuar kur të kihen parasysh përpjekjet 20 vjeçare greke për të ndryshuar emrin e Maqedonisë. Në këtë pikë çështja bëhet shekspiriane për qytetarët sllavishtfolës këtu. Janë ata maqedonas antikë të sllavizuar më vonë? Janë fis i veçantë sllav, i cili u vendos në Ballkan në shekujt VI-IX bashkë me fiset tjera sllave? Apo janë bullgarë të shkëputur me dhunë nga gjiri i shtetit amë që duhet t’i rikthehen atij? Apo mos janë bullgarë etnikë që me kalimin e kohës nën ndikimin e propagandave jugosllave dhe komuniste kanë evoluar në një kombësi të re të quajtur maqedonase? Teoritë më të reja në lidhje me kombformimet njohin edhe mundësi të formimit (“zbulimit” i quan Andersoni) të tyre nga lart poshtë, pra nën kontrollin politik dhe ndikimin e elitave të caktuara pushtetare. Elita maqedonase projugosllave e kohës së Titos dhe kjo e këtyre 20 vjetëve pavarësi, siç duket ka pasur sukses në injektimin artificial të një identiteti të ri kombëtar - atij maqedonas. Një identitet i tillë i bazuar krejtësisht në një ndjenjë përkatësie krahinore dhe në dialektet lindore të bullgarishtes sot është ngritur në komb dhe gjuhë të veçantë maqedonase.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›