E Diel, 1 Nëntor 2026

“Detyrë fisnike e KE të ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE”

Pierre Mirel, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, garanton Kryeministrin Sali Berisha

Komisioni Europian i shpreh mbështetjen e plotë Kryeministrit Sali Berisha, për të ndihmuar Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që procesi i integrimit në BE, të ecë me ritme sa më të shpejta.
Mesazhin e KE-së, ia përcolli Kryeministrit shqiptar, Pierre Mirel, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, i cili dje u prit nga shefi i ekzekutivit.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, i konfirmoi Kryeministrit Berisha se, Komisioni Europian dhe çdo funksionar i tij, ndihet jashtëzakonisht i kënaqur me vendimin e Këshillit, i cili i dha dritën jeshile Komisionit për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe për përgatitjen e pyetësorit përkatës, por edhe me ecurinë shumë të mirë të procesit të liberalizimit të vizave.
Në këtë kontekst, Mirel e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e reformave të qeverisë shqiptare dhe i shprehu atij mbështetjen e plotë të Komisionit për të ndihmuar Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme sa më të shpejta.
“Ekziston një ndjenjë e përgjithshme në Komisionin Europian që është detyra jonë fisnike të ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE”, u shpreh Mirel. Gjithashtu, komisioneri Mirel vlerësoi si shumë të mirë ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri.
Në takim u vlerësua rëndësia e plotësimit sa më të shpejtë e të gjitha kritereve, standardeve dhe praktikave të nevojshme politike, institucionale e ligjore, që këto procese të ecin përpara me shpejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat ekonomike, përfundimi i reformës së pronësisë, forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative, por në veçanti reformat për konsolidimin e kritereve politike të Kopenhagenit, janë dhe mbeten prioritet parësor.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e siguroi Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierre Mirel se progres-raporti i Komisionit Europian dhe dokumentet e tjera, janë dhe mbeten udhërrëfyesit dhe shtyllat themelore të programit të punës së qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije Mirel, masat e fundit të marra nga qeveria shqiptare si: liberalizimi i mëtejshëm i kritereve për lejet e licencat dhe përfshirjen e parimit “heshtja është miratim”, shkurtimi i shpenzimeve administrative, thjeshtëzimi i procedurave fiskale për biznesin,  etj.
“Këto dhe të tjera masa, në favor të përmirësimit të klimës së biznesit, po bëjnë të mundur që Shqipëria, me gjithë krizën financiare botërore, të shënojë një rritje në investimet e huaja direkt, në masën 59 për qind vetëm për vitin 2009”, tha Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›