Tezat e reja të Francës së Sarkozisë për financimin e kulturës kombëtare
Në Francë, ndërhyrja e shtetit në kulturë po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme. Ajo ka qenë e pranishme në fakt qysh në ancien regime, veçanërisht në mecanatizmin mbretëror, por ai vijoi me tej me revolucionin, pasi spikati problemi i mbrojtjes së pasurisë kombëtare. Gjatë republikës së tretë mecenatizmi ka preferuar edukimin dhe shpërndarjen, veçanërisht duke u mbështetur në muze dhe biblioteka, kurse në republikën e katërt është favorizuar decentralizimi i teatrit - me krijimin e një Teatri kombëtar popullor - Festivali i Avinjonit si dhe qendrat e dramës kombëtare.
Por data historike e historisë së politikës kulturore franceze mbetet 24 korriku i 1959-s, krijimi i Ministrisë së Kulturës, falë vullnetit të gjeneralit De Gol dhe efikasitetit të ministrit-filozof Andre Malraux. Nga ky moment e më pas, jeta kulturore franceze bëhet për politikën një çështje me rëndësi parësore. Kjo ministri është një risi absolute, por konfirmon vullnetin francez të mbrojë trashëgiminë e një vendi me një traditë të rëndësishme. Kultura bëhet për Francën një “affaire française” e madhe që tregon madhështinë e pushtetit dhe fitoret e kombit. U shndërrua thuajse një religjion modern.
Falë dyshes “De Gol-Malraux” - që ndonjëherë harrohet - e djathta nuk bëhet vetëm një mbrojtëse e arteve dhe e letërsisë, por edhe nismëtare e një politike publike. Tani e në vazhdim kultura shndërrohet një detyrë për shtetin, një "raison d’être", e barabartë me edukimin, mbrojtjen apo diplomacinë. Është shteti që merr rolin e instruktorit, që kupton dhe shpërndan kulturën.
Megjithatë, pas luftës, mendimi i të majtës gjithsesi iu imponua Francës, përmes intelektualëve, si një pakt në heshtje mes dy pjesëve politike kryesore, ku e djathta përvetëson qeverinë dhe të mirat publike, kurse e majta autoritetin mbi kulturën. Kjo ndarje hegjemonie ka kontribuar për tkurrjen - falë karakterit monopolist – të peisazhit kulturor. Shumë e denoncojnë me plot gojë këtë “pazar” si një “terrorizëm intelektual”, siç e thotë edhe editorialisti i “Figaro”-s, Philippe Tesson.
Falë përzierjes, shpesh kundërthënëse, i përbërë nga barazia, solidariteti, liria e të drejtat e njeriut, por edhe "loisir"-i, të bërit qejf a të marrurit me gjëra artistike, e majta ia ka dalë për vite të mbajë fort - dhe jo pa arrogancë - fushën e etikës dhe të estetikës franceze.
Ardhja në pushtet e Nicolas Sarkozy-së vjen fiks me gremisjen historike të mendimeve të së majtës dhe dobësimin e përgjithshëm të “frontit” nga falimentimi i socializmit. Rëndesa ideologjike dhe moraliste që e majta vazhdon të trashëgojë, po prodhon tek shumë veta veç rutinë. Gjenia politike e Sarkozy-së konsiston në faktin se ai po mundet të paraqesë një të djathtë pa komplekse prej së kaluarës. Por ai ka ditur edhe të bëjë një lojë, që i ka vënë në vështirësi dhe në lojë socialistët francezë në një “querelle” të pafund. Në emër të një atlantizmi dhe anti-totalitarizmi, filozofë të kalibrit të majtë si André Glucksmann ose Pascal Bruckner, e kanë mbështetur Sarkozy-në qysh në fillim të fushatës elektorale.
Falë hapjes mendore ("ouverture"), Sarkozy ka mundur të afrojë në qeverinë e tij mjaft personalitete me sensibilitete të ndryshme. I fundit në datë është Fréderic Mitterrand, nipi i presidentit François, që është thirrur bash për të marrë funksionin e Ministrit të Kulturës. Me të, Sarkozy po i jep vetes një hipotekë simbolike të paparë. Ky emërim tregon edhe diçka tjetër, pra, për influencën që e shoqja e presidentit, Carla Bruni, ka mbi kryetarin e shtetit francez. Së fundmi autoriteti i pronës intelektuale "loi Hadopi", që mbron përhapjen dhe shpërndarjen e internetit - i bllokuar nga socialistët - ka siguruar mbështetjen e pakufizuar dhe entuziaste të personaliteteve majtiste si Michel Piccoli apo Juliette Gréco. Sarkozy ka kuptuar se “me intelektualët në favor nuk fitohet pushteti, por me intelektualët kundër, qeveriset keq”.
Gjatë ceremonisë së shpalljes së këshillit të ri për Krijimtarinë Artistike, presidenti sarkozy tha: “Përgjigjia e Francës ndaj krizës ekonomike duhet të jetë kulturore, dhe i takon shtetit ta përcjellë mesazhin”. Sarkozy, ashtu si edhe paraardhësit e vet, përjetëson një traditë të gjatë franceze të ndërhyrjes shtetërore. Por në dallim nga një De Gol apo një Mitterrand, kultura për presidentin aktual nuk është e shenjtë ose të paktën nuk paraqet një sferë të jetës publike e kolektive, rreth së cilës mund të abstragohen rregulla të posaçme financimi. Nuk duhet të harrojmë se në Francë, pjesë më e madhe e institucioneve të kulturës, të festivaleve a të shoqatave, jetojnë me financimet publike. Shumë syresh janë krejt deficitare, prandaj presidenti Sarkozy po i rivlerëson vlerat si përgjegjësia, veprimi dhe qëndrueshmëria në drejtimin e punës publike, prandaj edhe administrimi i kulturës nuk mbetet prapa në këtë sfidë. Prandaj rendi i ditës për mecenatin kulturor francez është bërë financimi shtetëror në mënyrë adekuate.
Përgatiti Lavdrim Lita