Rama e Xhafa u premtojnë deputetëve se do t’i marrin rrogat, meqenëse shumë shpejt do të kthehen në parlament
Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së është shndërruar dje në një protestë të shumicës së ligjvënësve të së majtës, të cilët i kanë kërkuar Edvin Ramës një perspektivë se kur do të kthehen ata në parlament. Arsyeja bazë, e cila ka qenë edhe një kritikë cinike për kapjen e socialistëve prej karteleve të ndërtimit, të cilët nuk interesohn fort për sistemin me të cilin funksionon politika e ditës. Deputetët i kanë kërkuar Edvinit t’u thotë se kur do të munden edhe ata që të marrin pagat e tyre, apo të paktën të njoftohen që të kërkojnë një punë tjetër me të cilën të nxjerrin mbijetesën, meqë ekuilibri s’po u del dot me bojkotin e detyruar. “Rasti ynë nuk është si rasti i disa mercenarëve, të cilët po fitojnë para e ndikim nga bojkoti”, kanë protestuar disa prej rishtarëve të Grupit Parlamentar Socialist. Protesta cinike ka hasur përgjigjen ngushëlluese të Fatmir Xhafës, i cili edhe në emrin e Edvin Ramës ka siguruar se deputetëve nuk do t’u digjeshin mandatet dhe se shumë shpejt ata do të ktheheshin në parlament, pasi kthimi në parlament ishte e vetmja mundësi që e majta të paraqiste Ligjin e Posaçëm për Hetimin e Zgjedhjeve. “Tashmë është marrë vendimi – ka deklaruar Xhafa – kështu që s’ka ndonjë pikëpyetje as për të ardhmen tuaj, e aq më pak për pagat tuaja, për të cilat unë e kuptoj shqetësimin...”. Në mbledhjen e thirrur për të forcuar ultimatumin ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe që u shndërrua në një protestë të heshtur të deputetëve-rishtarë, ra në sy mungesa e deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, të cilët thanë në mënyrë jozyrtare për mediat, se për ta tashmë s’paraqiste më asnjë interes pjesëmarrja në një forum të shndërruar në një establishment mercenar të interesave personale të Edvin Ramës.