E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen alarmet për destabilizimin institucional të Bosnjës

Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga partitë politike udhëheqëse në Bosnjë e Hercegovinë, që të punojnë për zgjidhje të përbashkëta, në mënyrë që ky vend të hyjë në binarët e integrimit të strukturave euroatlantike. Në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Icko, situatën aktuale e përshkroi si “shqetësuese dhe stagnuese”. Më tutje, ai theksoi se për 14 vjet Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë punuar në këtë vend për të ndihmuar në ripërtëritjen shoqërore, duke u fokusuar në sfidat praktike dhe në rindërtimin e pasluftës dhe në integrimet euroatlantike. Por, sipas tij, tash sfidat janë të natyrës tjetër. “Zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë sot më nuk fokusohen në sfidat praktike, por në debatin fundamental politik, i cili deri tash nuk ka zgjidhur një numër relevant të problemeve politike”, tha Valentin Incko në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më tutje ai foli edhe për politikanët e Partisë Serbe të Bosnjës, për të cilët tha se kanë krijuar probleme në nivelin shtetëror, e pastaj i kanë kritikuar institucionet shtetërore. “Lidershipi i Republikës Serbe ka dështuar të kuptojë se shteti dhe autoritetet e entiteteve kanë mandate të ndara dhe të definuara qartë dhe se secili duhet ta bëjë punën e vet, duke e plotësuar njëri-tjetrin”, tha Valentin Incko. Në Bosnje-Hercegovinë, qeveria përbëhet nga tri parti politike të barabarta: e myslimanëve, e serbëve dhe e kroatëve. Sipas zotit Incko, qasjet e ndryshme të partive politike kanë prodhuar vështirësi të konsiderueshme. Në këtë aspekt, një numër i liderëve politikë në federatë është në favor të një roli shumë më të fuqishëm në nivelin shtetëror dhe për rol të reduktuar për entitete në strukturën shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës. “Periudha e raportimit është karakterizuar me probleme të vazhdueshme politike dhe me mungesë të progresit në agjendat kryesore, në të cilat është e përfshirë Bosnjë e Hercegovina. Rrjedhimisht, një numër i ligjeve, që kërkohen për integrim euroatlantik dhe për mbylljen e zyrës sime, janë shtyrë”, tha Incko. Ambasadori i Suedisë në Kombet e Bashkuara, Anders Linden, që e kryeson grupin e Bashkimit Evropian në OKB, tha se procesi i brendshëm politik në Bosnjë e Hercegovinë ka arritur në fazën vendimtare dhe se kompromiset dhe zgjidhjet e përbashkëta duhet të kërkohen për ta udhëhequr këtë vend në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Përfaqësuesi i Britanisë, Mark Grin, raportin e zotit Incko e përshkroi si “dekurajues dhe të sinqertë”. Por, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Nikolla Spiriq, shprehu kundërshtim të fuqishëm me vlerësimet në raportin e përfaqësuesit të lartë, Valentin Incko. Ai atë e cilësoi si sipërfaqësor dhe joprofesional dhe këmbënguli që Partia Serbe e Bosnjës mund të kontribuojë në mënyrë pozitive për gjetjen e zgjidhjeve. Më 18 nëntor të këtij viti, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka zgjatur edhe për një vit mandatin e forcës stabilizuese të BE-së në Bosnjë, EUFOR, që ka për detyrë sigurimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit të të gjitha palëve me marrëveshjen paqësore të Dejtonit në vitin 1995, me të cilën përfundoi lufta etnike në Bosnjë e Hercegovinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›