Maqedonia vazhdon me bustizimet “alla Gruevski”
Në vend që të ndërtonte 10 shkolla ku do të arsimoheshin qindra nxënës, qeveria vazhdon të investojë në ndërtimin e busteve të heronjve sllavë. Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, kryeministri vazhdon me aventurat nacional-shoviniste, pasojat e të cilave populli pritet t’i ndjejë më pas.Eksperti i çështjeve ekonomike Abdylmenaf Bexheti thotë se çdo lloj investimi kapital do të ishte më i mirë sesa ky përcaktim, bile jo vetëm nga aspekti ekonomik. “Konsekuencat politike nga ky investim do të jenë shumë më të mëdha, efektet negative do të jenë shumë më të mëdha sesa efektet ekonomike. Përveç kostove ekonomike joracionale gjenerojnë edhe kosto politike të larta”, tha Bexheti. Sipas tij, kjo qeveri më tepër investon për qëllime të politikave ditore sesa për nevojat e qytetarëve prej ku e vjelin buxhetin. “Ky është realiteti i kësaj qeverie, tash e tre vite. Dihen preferencat dhe shijet e saj nga ky aspekt. Sigurisht se kjo qeveri do të vazhdojë me aventurat e veta deri sa të ketë mandatin. Ajo është me një tendencë rritëse të këtyre investimeve, me interes të folklorit dhe nacional-shovinizmit maqedonas”, thotë Bexheti, duke shtuar se edhe projektet e tjera kapitale, si ai i ndërtimit të teleferikut deri te kryqi në Vodno dhe të tjera projekte kanë të njëjtin qëllim.Analisti Ismail Sinani thotë se kjo është edhe një dëshmi shtesë se ky kryeministër është tërësisht i mbuluar nga komplekset. “Ai me këtë i dëshmon mbarë opinionit vendas dhe ndërkombëtar se është i mbërthyer me komplekse të dëshmimit të identitetit. Thënë më drejtë, ai po kërkon një identitet të popullit të vetë. Identiteti nuk krijohet me buste, por me traditë historike, e cila vjen nga lashtësia”, thotë Sinani. Ai sqaron se ndërtimi i një busti në vitin 2009 apo 2010, nuk do të thotë se ai popull ka histori 2 mijë vjeçare, por është një dëshmi se ai popull fillet e veta i ka në vitin kur edhe vendoset busti. “Ato mjete financiare, do të mund të përdoreshin për shkolla, çerdhe fëmijësh, azile, ambulanca, rrugë, superstrada, banesa sociale dhe për shumëçka tjetër, por assesi për buste. Por siç thash kjo flet për mendësinë e kryeministrit, i cili me këtë avaz, vendin po e shpien drejt një krize të madhe ekonomike dhe ndoshta në një të ardhme të afërt edhe politike, pasojat e së cilës do t’i ndjejmë dhe paguajmë të gjithë qytetarët”, theksoi Sinani.Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë një fushatë nacionaliste ku me mënyra të ndryshme përpiqet të gjejë rrënjët e identitetit. Në projekte kapitali, si ai i gërmimeve (shkatërrimeve) arkeologjike, ky i busteve, ai i teleferikut të kryqit, etj, qeveria ka investuar miliona euro. Vetëm për projektin e bustizimit të Shkupit me figura maqedonase janë ndarë 18 milionë euro.