Maqedonia, vendimi i Hagës për emrin pa efekt për NATO-n

NATO dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit të emrit, edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që vendosi në favor të Shkupit. Vendimi i djeshëm i kësaj gjykate shpalli Greqinë fajtore lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995, duke bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin e vitit 2008. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka anuar ndaj asnjë pale lidhur me vendimin e djeshëm, edhe pse ai ishte në favor të Shkupit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen gjithashtu ka deklaruar se Maqedonia do të ftohet përsëri për t`iu bashkuar NATO-s, pasi ta zgjidhë kontestin për emër me Greqinë. “Kjo nuk ka efekt në vendimin e aleatëve të NATO-s në samitin e Bukureshtit në vitin 2008”, ka theksuar Rasmusen. Ai ka shtuar se vendet anëtare kanë rënë dakort që një ftesë do t`i dërgohet Ish -Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sa më shpejt që të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciproke për çështjen e emrit.
SHBA përmes ambasadorit të saj në Shkup, Pol Volers gjithashtu ka përsëritur mesazhet se qëndrimi i NATO-s është i njohur.
“Tani është koha e vërtetë që liderët e Maqedonisë dhe Greqisë të bëjnë përpjekje plotësuese dhe të zgjidhjen kontestin e emrit. Qëndrimi i NATO-s është i njohur. Maqedonia mund të bëhet anëtare, kur do të zgjidh kontestin e emrit”, deklaroi ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Hagës është një shans për liderët politik të të dyja vendeve të shfrytëzojnë mundësinë dhe sërish të përforcojnë përpjekjet për të zgjidhur problemin. Ai tha se pozicionet e SHBA-ve nuk kanë ndryshuar”, ka theksuar ambasadori amerikan.
Ndërmjetësi i OKB-së për emrin, diplomati amerikan Metju Nimiç ka nënvizuar se vendimi i Hagës duhet të shihet si një nxitje për të zgjidhur problemin e emrit dhe se ai ka shprehur gatishmërinë për të vijuar procesin e negociatave për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.