E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, sot debati për rezoluten e emrit

 

SHKUP- Parlamanti maqedonas pritet që të fillojë debatin për miratimin e një rezolute për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë për emrin. Rezoluta u propozua nga Partia e Re Social Demokrate, është përfshirë në kalendarin e punës të seancës parlamentare, por ajo është radhitur si pikë e fundit. Kjo ka shtuar dilemën te propozuesi se shumica parlamentare, siç ka thënë kryetari i kësaj partie, Tito Petkovski, nuk është e interesuar që të miratojë një rezolutë të tillë. Zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, kanë pohuar se para se të fillojë seanca plenare, do ta shqyrtojnë edhe njëherë mundësinë që rezoluta të kalojë si pikë e parë e rendit të ditës. Pritet që Rezoluta të jetë edhe një shkas për akuza dhe kundër akuza mes pozitës dhe opozitës të cilat vazhdojnë që të kenë qëndrime të ndryshme për formën e zgjidhjes së problemit me Greqinë fqinje. Për opozitën maqedonase dhe presidentin, Branko Cërvenkovski është i pranueshëm një emër i cili do të shprehte përcaktimin gjeografik të Maqedonisë, por që nuk do të rrezikonte identitetin kombëtar të popullit maqedonas. Ndërsa kryeministri Gruevski dhe partia e tij nuk heqin dorë nga formula e dyfishtë, emri kushtetues të mbesë për përdorim të brendshëm dhe ndërkombëtar, ndërsa me Greqinë të gjendet zgjidhje. Miratimi i një rezolute të tillë nga të gjitha partitë parlamentare, vlerësohet si e një rëndësie të veçantë, pasi në të ardhmen Maqedonisë do t'i shërbente si një bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve me palën greke.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›