E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqo Lakrori: Unë do ta fitoj këtë garë

 

Kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, i cili garon përballë Edi Ramës për postin e kryetarit të PS, beson se platforma e tij do të gjejë mbështetjen e anëtarësisë, ndërsa nuk mungojnë zërat që e cilësojnë fiktive këtë garë. Unë kam hyrë në garë për ta fituar atë”, u shpreh dje Lakrori. Anëtari i Asamblesë Kombëtare mendon se ky proces do të jetë serioz dhe transparent. “S’ka asnjë gjë fiktive, unë jam angazhuar shumë seriozisht në këtë proces, jam menduar thellë për këtë gjë. Jam në PS që në fillimet e saj kur nuk njihja as zotin Rama dhe shumë të tjerë. Ky do të jetë një proces shumë serioz, që do të demokratizojë më tej Partinë Socialiste”, tha Lakrori. Në platformën e tij Maqo Lakrori propozon ndryshime në statut, që synojnë të sanksionojnë drejtim kolegjial të partisë dhe konkurrim të hapur, por dhe bashkim të së majtës. Ai beson se socialistët do të bëjnë dallimin mes dy alternativave, që ofrohen për drejtimin e partisë. “Bëhet fjalë për metoda të ndryshme drejtimi. Unë ofroj këtë metodë drejtimi, një metodë drejtimi kolegjial, ku secili të ndjehet i respektuar, sipas konceptit tim, kryetari cilido qoftë është zëdhënësi numër një, është përgjegjësi numër një, por vendimet merren në mënyrë kolegjiale dhe për zbatimin e tyre punohet me ekipe”, u shpreh ai. Maqo Lakrori bëri publik kandidimin e tij në kongresin e jashtëzakonshëm ditë në të cilën Arben Malaj u tërhoq nga pjesëmarrja në këtë garë duke akuzuar Edi Ramën për cenim të saj. Ndërkaq, Lakrori ka zhvilluar takimet e para elektorale për zgjedhjet për kreun e PS-së. Lakrori dje ka takuar kryetarët e PS-së së njësive bashkiake të kryeqytetit, i shoqëruar nga kryetari i PS-së së bashkisë Tiranë, Besnik Bare. Në këtë takim, Lakrori ka shpalosur platformën e tij të konkurrimit, ku kryesorja sipas tij ka qenë fryma kolegjiale që duhet futur në PS, ndryshe nga drejtimi i deritanishëm i kësaj partie. Duket se PS ka marrë masa që kjo fushatë të zhvillohet e barabartë. Lakrorit i është dhënë një zyrë në selinë rozë ku ai ka mundësi të presë dhe të takojë mbështetësit e tij në këtë garë. Në ditët në vazhdim ish-sekretari socialist në PS do të zhvillojë takime dhe me asambletë e njësive vendore të Tiranës, ku do të paraqesë platformën e tij për të ringritur PS-në dhe të majtën në përgjithësi për ta sjellë atë në pushtet. Rivali i Ramës në këtë garë shprehet se do të zhvillojë një tur takimesh me strukturat e PS-së në të gjithë vendin, ndërsa nuk përjashton dhe një bashkëbisedim televiziv me Edi Ramën në një nga televizionet e njohura të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›