Rama: Pse bojkotojmë Kuvendin
Aristir Lumezi
Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, përmes një letre drejtuar Presidentit Topi shpjegon arsyet pse PS nuk hyn në Parlament. Përmes kësaj letre zyrtare, vetëm 5 ditë para nisjes së legjislaturës së re parlamentare, Rama kërkon të ndajë shqetësimet e PS-së në lidhje me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. “Më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin serioz që zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane”, shprehet kryetari socialist në letrën e tij. Në vazhdim, Rama shpjegon arsyet që kanë çuar në shkeljen e ligjeve të shtetit dhe standardeve të zgjedhjeve në vend. “Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit, nga autoritete të larta shtetërore, që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e “lejeve të përkohshme”, shprehet Rama në letrën e tij. Duke parashtruar gjithë këto arsye dhe duke i cilësuar zgjedhjet jashtë çdo standardi, Rama shprehet se Parlamenti dhe institucionet e dala prej tij janë jo legjitime. “Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku Parlamenti dhe Qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe “autoriteteve” të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet, po për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale”, shprehet Rama. Kreu socialist në detyrë i kërkon presidentit, i cili njëkohësisht është dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të vlerësojë denoncimet, që PS bën për të dënuarit që kanë marrë leje gjatë ditëve të zgjedhjeve. “Duke kërkuar prej Jush në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të konsideroni me autoritetin e instancës Suaj materialin bashkëngjitur, të siguruar prej nesh në rrugë konfidenciale lidhur me sa parashtrova, Ju uroj punë të mbarë”, shprehet kreu socialist në detyrë në letrën e tij drejtuar Presidentit të Republikës.
Teksti i letrës
Shkëlqesisë së Tij Zotit Bamir TOPI President i Republikës së Shqipërisë I nderuar zoti President,
Më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin serioz që zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve europiane të lirisë e të ndershmërisë së tyre, por nxorën ndër të tjera në pah edhe një problem mprehtësisht kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor.
Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit, nga autoritete të larta shtetërore, që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e “lejeve të përkohshme”.
Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku Parlamenti dhe Qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe “autoriteteve” të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet, po për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale.
Duke kërkuar prej Jush në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të konsideroni me autoritetin e instancës Suaj materialin bashkëngjitur, të siguruar prej nesh në rrugë konfidenciale lidhur me sa parashtrova, Ju uroj punë të mbarë.
Sinqerisht,
Edi Rama