Firmoset pakti, PD dhe LSI bashkë për zgjedhjet lokale dhe Presidentin e ri
ADI SHKEMBI
PD nënshkruan marrëveshjen e parë për formimin e qeverisë së re me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas këtij dokumenti, LSI do të ketë përfaqësim në qeveri në nivel ministror, zv.ministra, prefektë si dhe drejtorë të të gjitha niveleve në të gjithë vendin. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, kanë garantuar se ky koalicion do të jetë jetëgjatë dhe transparent.
Marrëveshja
Sipas dokumentit të firmosur dje në praninë e mediave, LSI do të marrë katër poste në qeveri dhe konkretisht kreu i saj, Ilir Meta do të mbajë postin e zv.kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Dritan Prifti do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa Petrit Vasili do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë. Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu se kjo forcë do të ketë edhe një prej dy nënkryetarëve të Kuvendit, post të cilin do ta mbajë deputeti i Beratit, Nasip Naço. Por ndonëse nuk është përcaktuar në marrëveshje, LSI do të ketë edhe disa poste zv.ministrash të cilat do të mbahen nga Edmond Haxhinasto, Sokol Dervishi, Nora Malaj, Filloreta Kodra, Sokol Axhemi dhe Tokli Thomai, si dhe prefektin e Fierit dhe Beratit. Gjithashtu kjo forcë do të përfaqësohet edhe në nivele drejtorësh në administratën qëndrore dhe në të 12 qarqet e vendit. LSI do të ketë 20 për qind të të gjithë stafit në qeverisjen qendrore dhe vendore, por ky përfaqësim do të kryhet duke pasur parasysh statusin e nëpunësit civil. Përfaqësimi i kësaj force në të gjitha nivelet do të kryhet brenda 30 tetorit 2009. Marrëveshja thekson faktin se PD dhe LSI do të punojnë së bashku për zgjedhjet lokale të vitit 2011, si dhe për zgjedhjen e presidentit një vit pas tyre. “PD dhe LSI bien dakord që për krijimin e kohezionit të qëndrimeve politike të rëndësishme të qeverisë dhe parlamentit, të realizohet konsultimi dhe koordinimi i këtyre qëndrimeve midis kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre”, thuhet në marrëveshje.
Konferenca
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta u shprehën të sigurt se kjo marrëveshje do të jetë transparente dhe jetëgjatë. “Marrëveshja ka dhe një kuptim politik të madh, pasi është një marrëveshje me spektër të gjerë, në të cilën gjejnë veten të përfaqësuar qytetarët që votuan djathtas dhe qendrën e djathtë, por dhe qytetarët që votuan majtas gjejnë në qeverinë e ardhshme një shkrirje të premtimeve dhe zotimeve elektorale”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha u shpreh i sigurt edhe për realizimin e reformës në shëndetësi, megjithëse kjo ministri nuk do të drejtohet nga PD. “Zonja Godo për periudhën që drejtoi ministrinë tregoi përkushtim dhe ndërmori një seri masash në procesin e reformave që zoti Vasili do t’i thellojë dhe kompletojë. Shëndetësia do të jetë prioritet madhor”, tha Berisha. Nga ana e tij lideri i LSI-së, Ilir Meta tha se më shumë se emrat që do të mbajnë postet ministrore, i rëndësishëm është konsensusi për miratimin në parlament të projektligjit për moshën e tretë. Gjithsesi sipas tij pika prioriteti i kësaj force i cili nuk mund të realizohet është ai i ndryshimeve kushtetuese. Ai akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se po përdor situatën paszgjedhore për interesa të tijat personale. “Këto gjëra që i thotë sot për zgjedhjet nuk i tha as të dielën, kur ka pasur mendimin se mund të fitonte, por as të hënën as të martën as të mërkurën, kur më dërgonte ndërmjetës për t’u bërë kryeministër duke shtuar maxhorancën me trafikime deputetësh, por i thotë tani dhe e vetmja arsye është ajo që ka të bëjë me justifikimin e tij që të mos respektojë atë nen që kish vendosur vetë për ndërprerjen e mandatit”, theksoi Meta.
Batutat
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së nuk i ka shpëtuar batutave të Kryeministrit Berisha. Sapo ka hyrë në sallën e kryesisë, ku zakonisht zhvillohen mbledhjet e grupit të PD-së, kreu i qeverisë ka parë se flamujt pas tavolinës ku do firmosej dokumenti ishin të kuq dhe blu (i PD-së, i LSI-së, i NATO-s dhe flamuri shqiptar) dhe teksa është drejtuar nga Meta ka thënë: “E keni bërë kuq e blu si Vllaznia, se këtu është vllaznimi. Kjo është tamam për një moment tu shënuar”.
Postet në qeveri
Ilir Meta - zv.kryeministër dhe Ministër i Jashtëm
Petrit Vasili - Ministër i Shëndetësisë
Dritan Prifti - Ministër i Ekonomisë
Nasip Naço - Nënkryetar i Kuvendit
Edmond Haxhinasto - zv.ministër
Sokol Dervishi - zv.ministër
Nora Malaj - zv.ministër
Filloreta Kodra - zv.ministër
Sokol Axhemi - zv.ministër
Tokli Thomai - zv.ministër
Marrëveshja
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosin të krijojnë së bashku Qeverinë e Integrimit Evropian, duke rënë dakord si më poshtë:
Hartimin e një programi të përbashkët qeverisës për vitet 2009-2013, për të realizuar objektivat e përbashkëta që kanë të bëjnë me:
- Përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE, duke realizuar të gjitha reformat e duhura, për të dhënë rezultate të menjëhershme në realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE.
- Reformimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi që cenon barazinë e konkurrimit politik;
- Konsolidimin e shtetit ligjor, cilësinë dhe zbatueshmërisë së ligjeve,
- Luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar;
- Luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës qeverisëse;
- Pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet;
- Zhvillimin e qëndrueshëm e të gjelbërt, duke e ndryshuar strukturën ekonomike të vendit për ta shndërruar atë në një vend të fuqishëm prodhues, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik;
- Realizimin e politikave nxitëse fiskale dhe ekonomike për të garantuar mbi 160 mijë vende të reja pune;
- Përmirësimin e shërbimeve publike, në mënyrë të veçantë të shërbimit shëndetësor dhe arsimit;
- Aprovimi i ligjit “për kujdesin ndaj moshës së tretë”;
- Reformimin dhe realizimin e politikave kundër varfërisë, për të eliminuar përfundimisht varfërinë ekstreme që shprehet deri në pamundësi për të përballuar kostot elementare të një jetese normale.
- Krijimin e hapësirave më të mëdha për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus rritjen e prodhimit dhe punësimit;
- Forcimin e rolit të Shqipëri në arenën ndërkombëtare, me fokus interesat kombëtare, integrimit, sigurinë dhe paqen;
- Për realizimin e këtyre objektivave, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bien dakord që përfaqësimi i LSI në qeverisje të jetë 20% e organeve të pushtetit dhe strukturave qeverisëse, duke respektuar ligjin “për statusin e nëpunësit civil”.
1. Përfaqësimi në Qeveri do të jetë në nivelin e (1) zv.kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm; (2) Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë, Energjetikës; (3) Ministrit të Shëndetësisë.
2. Përfaqësimi në drejtimin e Kuvendit do të jetë në nivel zv.kryetari.
3. përfaqësimi në të gjithë nivelet e pushtetit, nivelet drejtuese dhe administrative, hallkave të tjera të pushtetit në nivel qendror deh atij vendor, do të jetë në masën 20 për qind.
PD dhe LSI bien dakord që për krijimin e kohezionit të qëndrimeve politike të rëndësishme të qeverisë dhe parlamentit, të realizohet konsultimi dhe koordinimi i këtyre qëndrimeve midis kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre.
Programi i qeverisë, pasi të aprovohet në parlament, do të jetë busulla drejtuese e koalicionit. Për probleme të veçanta gjatë qeverisjes, zgjidhja duhet të jetë produkt konsensusi mes kryetarëve të PD dhe LSI. Rëndësi të veçantë ka konsensusi për votime në parlament me shumicë të cilësuar apo votime që janë të rëndësishme për reformave programore të koalicionit. Rëndësi ka gjithashtu konsensusi për buxhetin e shtetit, zërat dhe politikat e tij, si dhe për listën e investimeve bashkëngjitur. Konsensusi është i nevojshëm për emërimet në institucionet kushtetuese, apo institucionet e tjera që varen nga parlamenti.
Koalicioni i qeverisë për Integrimin Evropian si një aleancë afatgjatë do të hyjë bashkë në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011. Për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011, do të realizohet një marrëveshje e veçantë.
Koalicioni do të realizojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbi bazën e konsensusit PD- LSI.
Çdo ndryshim në këtë marrëveshje duhet të bëhet me konsensus dhe si rrjedhojë pasuar nga një amendament me shkrim të firmosur nga kryetarët e PD dhe LSI. Kryetarët mund të autorizojnë nga një përfaqësues të tyre për zbatimin e kësaj marrëveshje në gjithë nivelet e qeverisjes, si dhe për përditësimin e saj sipas zhvillimeve qeverisëse.
Përfaqësimi në pushtetin ekzekutiv në nivel qendror e vendor do të realizohet brenda afatit 30 tetor 2009.
Kjo marrëveshje lidhet dhe do të ketë efekt për mandatin 4 vjeçar të kësaj legjislature parlamentare.
Konfirmohet Bode, pezull ministrat e PD
ADI SHKEMBI
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me LSI-në, Kryeministri Sali Berisha ka vazhduar deri në orët e vota të natës konsultimet me stafin e tij të ngushtë për formatimin e Qeverisë përpara se të nisë punimet Kuvendi. Kreu i ekzekutivit është mbyllur për disa orë në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave për t’i dhënë përgjigje pikëpyetjeve që kanë të bëjnë me emrat e rinj të ministrave për katër vitet e ardhshme. Burime të sigurta pranë Berishës bënë të ditur mbrëmë për gazetën se përveç katër posteve që do t’i mbajë LSI (zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm Meta, ministër i Ekonomisë, Prifti dhe ministër i Shëndetësisë, Vasili) deri tani kanë thuajse të sigurt postin në Qeverinë e re sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode i cili do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Financave, si dhe është konfirmuar rikthimi në qeveri i kryetarit të republikanëve, Fatmir Mediu, i cili do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit. Burimet bënë të ditur gjithashtu, se poste të rëndësishme do të kenë edhe ministri aktual i Jashtëm Lulzim Basha, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Ndërkohë pranë konfirmimit janë Enkelejd Alibeaj në postin e ministrit të Drejtësisë dhe Myqerem Tafaj si ministër Arsimi. Por caktimi i tyre në vendet që do të mbajnë duket se do të bëhet vetëm në momentet e fundit përpara se të mblidhet Parlamenti.
Aleatët
Përveç Partisë Republikane asnjë prej partive të tjera aleate nuk do të marrë post ministror. Përjashtim nga kjo do të bëjë vetëm Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila nëse pranon të hyjë në Qeverinë e re do të marrë një post ministror. Kreu i qeverisë tha se dje se i ka bërë ftesë PBDNJ-së dhe pret një përgjigje prej saj, ndërsa për aleatët e tjerë tha se ata do të përfaqësohen në bazë të votave që kanë marrë. “Një ftesë i është bërë edhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Votat e marra do të jenë kriteri, që do përcaktojë nivelin e përfaqësimit në pushtet të forcave të tjera politike. Ne jemi të vendosur të bashkëqeverisim me aleatët tanë, por cili do jetë niveli, kriter është numri i votave. Kjo është më e ndershmja”, u shpreh kreu i Qeverisë. Nëse i referohemi pikërisht këtij kriteri të vendosur nga kreu i Qeverisë, pas Partisë Republikane, e cila ka marrë rreth 32 mijë vota, në vend të tretë renditet Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila veç një deputeti do të përfaqësohet me zv/ministra. Të njëjtin përfaqësim pritet të kenë edhe PAD e Neritan Cekës, PAA e Lufter Xhuvelit dhe PBLD e Arjan Starovës.
Kabineti i ri
Kryeministër- Sali BERISHA
Zv/kryeministër dhe Ministër i Jashtëm-Ilir META
Ministër i Integrimit- Majlinda BREGU
Ministër i Brendshëm- ?
Ministër i Mbrojtjes- ?
Ministër i Financave- Ridvan BODE
Ministër i Ekonomisë- Dritan PRIFTI
Ministër i Drejtësisë- Enkelejd ALIBEAJ?
Ministër i Punëve Publike- ?
Ministër i Arsimit- Myqerem TAFAJ ?
Ministër i Shëndetësisë- Petrit VASILI
Ministër i Punës- ?
Ministër i Bujqësisë- ?
Ministër i Kulturës- ?
Ministër i Mjedisit- Fatmir MEDIU
Berisha në drekën e fundit me ministrat: Disa nuk do jenë më
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje për herë të fundit kabinetin qeveritar, ku i ka falënderuar ata për bashkëpunimin në këtë mandat katër vjeçar. Në rreth 40 minuta, kreu i qeverisë ka vlerësuar punën e secilit prej ministrave, por u ka kërkuar disa prej tyre mirëkuptim nëse nuk do të jenë në kabinetin e ri gjatë mandatit të dytë. “Kompozimi i saj është një proces kompleks, por për një gjë dua ta garantoj secilin prej jush. Se kush do të ulet në këto vende pas 10 ditësh apo dy javësh, edhe unë nuk e kam ende të qartë, por ata nga ju që do të mungojnë, absolutisht nuk do të mungojnë as nga moskonsiderata e Sali Berishës dhe as nga mungesa e kontributit të tyre parësor në këto katër vite. Natyrisht, kompozimi do të jetë kompleks dhe unë jam i bindur se integriteti juaj politik është i mjaftueshëm për të mirëkuptuar zgjidhjet e ardhshme, që Kryeministri do të bëjë në interesin më të mirë të vendit. Edhe një herë ju falënderoj”, është shprehur kreu i qeverisë. Burime pranë mbledhjes bënë të ditur për gazetën se në fund të saj, kreu i ekzekutivit ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Ministrin e Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit nuk arriti të futej në parlament. “Të falënderoj për punën në këto katër vjet, ka qenë një privilegj i madh për mua të punoj me ju dhe stafin tuaj”, mësohet t’i ketë thënë Berisha kreut të agraro-ambientalistëve.