E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu, asnjë leje pas 20 qershorit

 

BURREL – Vetëm 12 të dënuar të Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel janë dërguar me leje gjatë muajit qershor të këtij viti. Drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Gjoçuka tha se për dërgimin me leje të këtyre të dënuarve janë zbatuar të gjitha normat ligjore dhe nuk ka pasur abuzime, as nga administrata e burgut dhe as nga vetë të dënuarit. Gjoçuka deklaroi se as subjektet politike dhe as kandidatët për deputetë nuk kanë paraqitur ankesa në lidhje me lejet e të dënuarve. Ai shtoi se dërgimi i të dënuarve me leje nuk është thjesht dhe vetëm kompetencë e drejtorit të burgut, por ka një komision me drejtues të sektorit të edukimit, policisë, shëndetësisë dhe sektorit ligjor. Pas kërkesës së të dënuarit, ky komision përgatit gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të dënuarin që duhet dërguar me leje. Më tej miratimi ose jo i kësaj leje është kompetencë e drejtorit të burgut. Drejtori i Burgut të Burrelit sqaron se janë dhënë për periudhën 1-20 qershor të këtij viti 9 leje të veçanta, për raste hidhërimesh dhe gëzimesh dhe 3 leje shpërblyese për sjellje korrekte të të dënuarve. Pas datës 20 qershor me urdhër të Ministrit të Drejtësisë nuk është dhënë asnjë leje, qoftë dhe për raste fatkeqësish. Gjoçuka shprehet se asnjë prej të dënuarve nuk ka abuzuar me lejen e dhënë dhe nuk është përfshirë në fushatë për subjekte a kandidatë të caktuar. Të dënuarit që kanë përfituar leje kanë qenë kryesisht nga rrethet e veriut të vendit. Mësohet gjithashtu se afro 40 të dënuar po agjërojnë në muajin e madhërueshëm të Ramazanit.                          h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›