Maradona: “Kaka nuk e meritonte Topin e artë”

Ishte i pritshëm reagimi i Diego Armando Maradonës, sapo Kaka morri zyrtarisht trofeun të dielën në Paris. Legjenda argjentinase nuk ka nguruar aspak të nisë një debat në lidhje me meritat e superyllit brazilian që morri edhe cmimin prestigjioz.
Edhe pse në Ligën e Kampioneve Kaka është në formë të madhe, fantazisti i Milanit është thuajse inekzistent në Serinë A gjatë këtij sezoni, duke bërë një paraqitje shumë të varfër. Ish-kampioni i botës, Diego Maradona – i cili e ka bërë publik pozicionin e tij përkrah Lionel Mesit - nisi sulmin. "Runi, Ronaldinjo dhe Mesi mund të ishin fituesit më me vlerë të trofeut. Është e vështirë të marrësh një vendim se cili prej tyre, por nuk është e vështirë të ndash Kakanë nga këta lojtarë. Disa prej tyre janë më të mirë. Unë nuk e di mirë se si është bërë përzgjedhja, por unë mendoj se Runi është më i mirë se Kaka", - lëshon siluret e tij Maradona. "Milani është një ekip që varet gjatë gjithë kohës nga Kaka, por kjo nuk e bën atë lojtarin më të mirë në botë". "El Diego" shpreh edhe opinionin e tij për ndeshjet e ardhshme të Botërorit të Klubeve, që vendos klubin e tij të dashur, Boka Juniors kundër Milanit. "Është një ndeshje e vështirë dhe nuk mund të parashikosh rezultatin, por Milani vare nga Kaka. Unë nuk i frikësohem Milanit, por dëshiroj vetëm që Boka të fitojë kompeticionin në gjendje të mirë fizike". Duke folur për favoritët në futboll, Maradona pa dyshim vecon lojtarët nga vendi i tij. "Për momentin më të mirët në botë janë tre lojtarë argjentinas: Lionel Mesi, Serxho Aguero dhe Huan Roman Rikelme".