Maradona: Synoj fitoren e Kupës së Botës
Që nga Afrika e Jugut, ku është për të inspektuar stadiumet, hotelet dhe fushat e stërvitjes, trajneri i Argjentinës Diego Armando Maradona ka shprehur hapur synimet e tij për të fituar kampionatin botëror. Skuadra argjentinase, e cila për herë të fundit e ka fituar Kupën e Botës kur Maradona ishte lojtar në vitin 1986, hasi vështirësi të mëdha për të siguruar kualifikimin. Por, pa më të voglin dyshim ajo është një nga më të kompletuarat, duke pasur në gjirin e saj futbollistë si Lionel Mesi, Serxho Aguero, Havier Zaneti apo Gonzalo Higuain. “Ne shpresojmë të shkojmë sa më lart të jetë e mundur, - tha trajneri i Argjentinës. – Nuk jemi favoritë, por kemi një dëshirë të madhe për të thyer këtë tabu që zgjat prej 24 vjetësh, duke rikthyer Kupën e Botës në Argjentinë. Askush nuk na e heq këtë ambicje”, deklaroi më tej Maradona. Më tej, ai i thuri elozhe Ronaldinjos, duke e quajtur më të mirin në botë. “Nuk i kuptoj disa kritika ndaj tij. është një nga futbollistët më të mirë që kam parë tek luajnë dhe në Milano shkoj vetëm për të ndjekur atë”, tha Maradona. Ai pati një takim me lojtarët e rinj në Pretoria, ndërsa të martën do të inspektojë stadiumin e Johanesburgut, ku do të luhet finalja e Botërorit më 11 korrik. (e.n/A.Latifi(BalkanWeb)