Plagoset 43-vjecari, nxirrte gurë dekorativ nga mali i Tomorrit
BERAT- Puna për nxjerrjen e gurit dekorativ në pllajën e malit Tomorr është bërë sërisht shkak aksidentesh. Një 43 vjeçar është aksidentuar rëndë si pasojë e rënies të një masivi dheu dhe gurësh mesditën e sotme në afërsi të fshatit Novaj. Gramoz Qamo, banor i këtij fshati ka qënë duke nxjerrë gur dekorativ privatisht në një pjesë të pllajës në malin e Tomorrit ndërsa u aksidentua. Punëtorë të firmave të shumta që punojnë në këtë zonë, kanë transportuar 43 vjecarin drejt spitalit të Beratit. Burime nga Reparti i Urgjencës bëjnë me dije se Qamo ka pësuar dëmtime serioze në shtyllën kurrizore ndërsa është dërguar drejt spitalit ushtarak në Tiranë. Punëtorët janë marrë në pyetje nga policia duke deklaruar se 43 vjeçari punonte privatisht për nxjerrjen e gurit dhe më pas ua shiste firmave private. Sipas hetimeve të para shkëputja e masivit të dheut e gureve është shkaktuar nga shfrytëzimi pa kriter dhe i pa studiuar. Ky është aksidenti i parë i ndodhur gjatë këtij viti në pllajën e Tomorrit, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar tre persona humbën jetën nga mungesa e kushteve teknike në punë.(m.a/News24/BalkanWeb)