Rama: “Gërdeci i ujit”, tragjedia e 3-të e qeverisë
TIRANE- Pas deklaratës së kreut të qeverisë në sallën e kuvendit, kreu socialist Edi Rama shprehu sërish bindjen e opozitës se fatkeqësia e mbytjes së Shkodrës nuk u shkaktua nga dora e zotit, por sic tha ai nga dora e robit dhe e qeverisë. Ndërsa e cilësoi përmbytjen e Shkodrës si “Gërdecin e ujit” Rama theksoi se kjo është tragjedia e tretë e shkaktuar nga qeveria brenda 20 muajve të fundit. “Vriten njerëz ne Gërdec, qeveria thotë Gërdeci voton për ne. Shemben tunelet në Kalimash , ska gjë marrim të tjera borxhe nga xhepi juaj o shqiptarë. Zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë, zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton” u shpreh Rama në një konferencë për shtyp , mbrëmjen e sotme. Kreu i opozitës nënvizoi se Partia Socialiste nuk ka kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit , ndërsa sipas tij, ajo që socialistët do të kërkojnë me forcë është dënimi i shkaktarëve të fatkeqësisë. “Në vend të fakteve vetëm gënjeshtra, në vend të provave vetëm vetëlavdërime, në vend ëe argumetave vetëm sajesa dhe më keq akoma sulme ndaj opozitës. Duke filluar nga gënjeshtra se opozita e kishte kërkuar atë mbledhje të seancës së sotme ndërkohë që mbrëmë media është e mirëinformuar se këtë seancë e dikton Kushtetua dhe , ne vetë e kemi bërë të qartë jo më larg se dje se nuk kemi kërkuar asnjë lloj mbledhje të Kuvendit. Kërkojmë me forcë dënimin e atyre që e shkaktuan këtë fatkeqësi” tha Rama nga selia rozë. Kryesocialisti theksoi se qeveria nuk ka asnjë provë për të ëvrtetuar se fatkeqësia u shkaktua nga moti ndërsa shtoi se jo më larg se dje opozita publikoi fakte e detaje të lidhura me përgjegjësinë e qeverisë në zhytjen e Shkodrës në ujë. “Ne jo më larg se dje kemi ekspozuar fakte konkrete , kemi dhënë prova të pakundërshtueshme, kemi bërë transparencë të detajuar të gjithë kësaj historie që nuk është gjë tjetër vecse një tjetër kapitull i turpshëm i Berishës. Sot nuk dëgjuam asnjë fakt përvec gënjeshtrave dhe përvec paradës së suksesit” u shpreh kryesocialisti. Rama solli sërish në vëmendje bindjen e opozitës për të vazhduar rrugën e protestave duke ftuar të gjithë shqiptarët të mos lejojnë , sic tha ai, vijimin e zinxhirit të fatkeqësive të shkaktuar nga keqqeverisja. (e.n/BalkanWeb)