Maradona, gafë me grumbullimet
Ka qenë ndoshta futbollisti më i madh i botës, por Diego Armando Maradona është duke shkëlqyer edhe si trajner, megjithëse në sensin negativ. Pasi rrezikoi ta linte Argjentinën jashtë botërorit, tekniku i Kombëtares ka bërë një gafë sa tragjike, aq edhe komike, kur për ndeshjen miqësore ndaj Xhamajkës, më 10 shkurt, ka thirrur 5 futbollistë që nuk janë të disponueshëm. Një konfuzitet që i ka çuditur të gjithë në Argjentinë dhe jo vetëm. Mes 18 lojtarëve të thirrur për të përfaqësuar Argjentinën, Maradona ka zgjedhur 4 të Estudiantes, Perez, Bozeli, Klemente Rodrigez dhe Souza, pa marrë parasysh se kjo skuadër një ditë më pas do të luajë në Kupën Libertadores. Pasi ka publikuar këtë listë dhe i është thënë se futbollistët janë të impenjuar në ndeshje zyrtare, Maradona i ka zëvendësuar menjëherë, pasi data 10 shkurt nuk është e lirë nga FIFA dhe klubet se kanë të detyruar të lëshojnë futbollistët e tyre. Por, edhe tek zëvendësimet Diego ka bërë lëmshin e radhës. Në 4 emrat e rinj figuron edhe Huan Pablo Pereira i Atletiko Tukuman, një futbollist që të hënën është bërë operacion dhe nuk mund të rikthehet para datës 14 shkurt. Sërish një gafë, që Maradona është përpjekur ta kalojë lehtë, duke zëvendësuar Pereirën me Bieler.