Nobelisti egjiptian për herë të parë në shqip
“Si arriti një njeri që vjen nga Bota e Tretë të gjente paqen mendore për të shkruar histori? Fatmirësisht, arti është bujar dhe i dhimbsur. Ashtu siç merret me të lumturit, nuk i braktis fatkeqët. U ofron të dyve njëlloj mjetet e nevojshme për të shprehur çka ua mbush kraharorin”. Kështu do të shprehej 22 vjet më parë në ceremoninë e çmimeve “Nobel”, shkrimtari egjiptian Naguib Mahfouz. Ai njihet pak nga lexuesi shqiptar edhe pse është fitues i një prej trofeve më të lakmuar, jo vetëm në fushën e letrave. Kjo është arsyeja pse shtëpia botuese “Zenit” zgjodhi të përkthejë e botojë romanin e tij “Nata e një mijë e një netëve”. Kjo zgjedhje u bë edhe për shkak të lidhjes me veprën e lashtë të lexuar gjerësisht nga lexuesi shqiptar, duke bërë kështu një kalim të bukur në letërsinë moderne egjiptiane. Në këtë roman tema klasike kthehet në një alegori të shoqërisë moderne egjiptiane. Kjo vepër ka shijen e rrëfenjave të lashta, por shkon më thellë në tema si tradhtia, intriga, dashuria obsesive, padrejtësia shoqërore, që do t’i ndihmojnë lexuesit të plotësojnë idenë e tyre rreth kulturës arabe gjatë shekullit të fundit. Nagib Mahfuz 11 dhjetor 1911 – 30 gusht 2006) ka qenë një romancier egjiptian që fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në 1988. Ai konsiderohet si një nga të shkrimtarët e parë bashkëkohorë të letërsisë arabe, së bashku me Taëfiq el-Hakim, që eksploroi temat e ekzistencializmit. Naguib Mahfouz filloi të shkruante kur ishte 17 vjeç. Student filozofie dhe lexues i pangopur, veprat e tij radhisin që prej riimagjinimit të miteve antike e deri në komentet e holla mbi politikën dhe kulturën bashkëkohore egjiptiane. Ai ka botuar mbi 50 romane, mbi 350 tregime, dhjetëra skenarë filmash dhe pesë drama përgjatë një karriere 70 vjeçare. Shumë nga veprat e tij janë përdorur për filma arabë dhe të huaj. Në 1988 Naguib Mahfouz u bë i pari shkrimtar arab që mori një çmim Nobel për Letërsinë.