E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Haradinajn, liderin e opozitës në Kosovë

 Kryeministri Sali Berisha u takua dje në zyrën e tij me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmi bëhet i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës dhe konfirmohet nga burime zyrtare nga Kryeministria. Në këtë takim të zhvilluar në mesditë, mësohet se është biseduar për zhvillimet politike në rajon dhe proceset nëpër të cilat po kalojnë dy vendet në rrugën drejt integrimeve evropiane. Gjithashtu kreu i AAK-së ka vlerësuar rolin e Tiranës zyrtare në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Haradinaj e ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë, dhe të arriturat e shtetit shqiptar, në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Dy liderët janë shprehur për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy subjekteve politike, në pajtim me memorandumin për bashkëpunim midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thuhet në lajmin e publikuar në faqen e RTK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›