Një trafikant shqiptar, "shpëtimtari" i Luçiano Moxhit
Një shqiptar i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, mund të jetë shpëtimi i Luçiano Moxhit, ish-drejtorit sportiv të Juventusit, që cilësohet edhe si strumbullari i akuzave të procesit sportiv "calciopoli". Eksperti i zërit të telefonatave të përgjuara të Moxhit ka bërë një gabim të rëndë profesional në një rast tjetër gjyqësor, duke paraqitur në Gjykatën e Napolit, gjatë një procesi për drogë kundër një shqiptari, një ekspertizë fonike, e cila ishte thuajse identike me atë të bosit të klanit të "Kazalezëve" të Kamorrës. Avokati i shqiptarit, Xhovani Avila, e ka quajtur të pamundur këtë provë duke thënë: "Siç ndodh me shenjat e gishtërinjve apo me ADN-në, nuk mund të ketë dy njerëz me të njëjtin timbër zëri. është e pamundur që ekspertiza e dy personave të nxjerrë të njëjtin zë", ka thënë ai. Prokurori i çështjes, Nuncio Fraljazo, ka kërkuar transmetimin e përgjuar, për të parë nëse ka ndonjë krim në sjelljen e ekspertit vokal. Ky i fundit, pasi është bindur se kishte gabuar, është mbrojtur duke thënë se gjithçka është një gabim nga "copy-paste". Ky episod ndaj të akuzuarit shqiptar, është shfrytëzuar nga avokatët e Moxhit në procesin e Calciopolit, që bazohet pikërisht në përgjimin e telefonatave. Bëhet fjalë për të njëjtin ekspert që ka bërë aktin e ekspertizës edhe të Luçiano Moxhit dhe të akuzuarve të tjerë. "Në këtë pikë, - thotë avokati mbrojtës i Luçiano Moxhit, Paolo Trofino, - do të vlerësojmë me më shumë kujdes përfundimet e ekspertit vokal, pasi prova kryesore e gjithë procesit ndodhet në përgjimet telefonike. Nëse ky ekspert ka bërë gabime të tilla, atëherë ne dyshojmë se ai mund të ketë kompromentuar gjithçka edhe në çështjen tonë". E megjithatë, në Prokurorinë e Napolit duken të qetë dhe të sigurt se rasti i shqiptarit të akuzuar për drogë, nuk do të influencojë aspak në fatet e "Calciopolit".