Topi: Gati tryeza e bisedimeve për krizën
Një ditë pas garancisë publike të kryeministrit Berisha, se do të marrë pjesë në bisedimet e iniciuara nga Presidenti Topi, kreu i shtetit hedh hapin e parë në drejtim të mbledhjes së tryezës për daljen nga kriza politike. Drejtoria e Informimit Publik në Presidencë bëri të ditur dje, përmes një njoftimi për shtyp, se Presidenti vlerësoi vullnetin e dy krerëve të partive të mëdha, kreut të Qeverisë dhe kryetari të opozitës për dialog mes tyre. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë, në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të internetit, bëhet e ditur se pas këtij momenti kreu i shtetit do të kontaktojë me kreun e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por edhe me faktorin ndërkombëtar në Tiranë për të përgatitur tryezën e bisedimeve. “Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, thuhet më tej në njoftimin për mediat të faqes së Presidencës. Burime pranë kreut të shtetit bënë të ditur për gazetën dje, se nuk përjashtohet mundësia që Presidenti t’i takojë më parë individualisht Berishën dhe Ramën, ku do të përcaktohen detajet e tryezës. Megjithëse është shprehur shumë kohë më parë i gatshëm për të nisur bisedimet për zgjidhjen e krizës, Topi nguroi të hidhte një hap konkret për shkak se mungonin garancitë që të dyja palët do të ishin të gatshme të pranonin atë për negociator. Do të duhej rezoluta e miratuar një javë më parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila përcakton pikërisht Presidentin si moderatorin e bisedimeve mes Berishës dhe Ramës. Një ditë më parë kreu i Qeverisë, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike, u shpreh i gatshëm të ulet në tryezën e thirrur nga Presidenti, por kërkoi garanci që kjo tryezë do të japë rezultat. “Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, u shpreh kryeministri. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka garantuar më parë se do të ulet në tryezën e thirrur nga Presidenti, por duke shtuar si kusht hapjen e kutive të votimit.