E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona i Man Cityt

Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 20:30

Sulmuesi argjentinas, Sergio Aguero dëshiron të bëhet Diego Maradona i Manchester Cityt. Legjenda është vjehërr i Agueros dhe konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë i të gjitha kohërave, pas paraqitjeve të tij të mira për Argjentinën dhe Napolin.

Maradona luajti rol të rëndësishëm duke i ndihmuar ekipit italian të mposhtë favoritët si Juventus, Milan dhe Inter drejt dy titujve të tyre të vetëm në Serie A, Kupës UEFA dhe Kupës së Italisë në fund të viteve të 80-ta dhe fillim të 90-ve.

Tani përforcimi i ri i Cityt, që kushtoi 38 milionë funte, ka bërë fillim të shkëlqyeshëm të aventurës së tij në Eastlands duke shënuar het-trik kundër Wiganit të shtunën dhe u zotua se do të bëjë për Cityn atë që bëri Maradona me Napolin.

“Shpresoj t’i ndihmoj Manchester Cityt të bëjë gjëra të mëdha siç bëri Diego me Napolin”, tha Aguero për Daily Mirror. “Kam ardhur këtu për të ndihmuar zhvillimin e ekipit që të fitojë tituj dhe nëse mund ta bëjmë këtë gjatë këtij sezoni, do të jetë perfekt”, shtoi Aguero.

City këtë edicion debuton në Ligën e Kampionëve dhe ndeshet me ish skuadrën e Maradonës, Napoli, të mërkurën. “Kam luajtur me Atletico Madridin në Ligën e Kampionëve dhe kemi pasur fushatë të mirë. Me Cityn synojmë të shkojmë sa më larg që mundemi”, përfundoi Aguero.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›