E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trulloset nga spekulimet

Agon Mehmeti nuk ka pasur paraqitje të mirë këtë sezon në elitën e futbollit suedez. Sulmuesi kosovar i Malmos thotë se spekulimet rreth transferimit te skuadra italiane Palermo kanë pasur efekt negativ në paraqitjet e tij. Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 08:40

Spekulimet rreth skuadrave të interesuara për të ndikuan negativisht tek Agon Mehmeti këtë sezon. Sulmuesi kosovar nuk po kalon nëpër momente të mira. Sezonin e kaluar, ai realizoi 11 gola dhe e ndihmoi mjaft Malmon deri te titulli i kampionit.

Ndërsa këtë sezon, ai ka shënuar vetëm dy gola nga 16 paraqitje, 12 prej tyre nga minuta e parë. 22 vjeçari, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij viti, ka folur për sezonin dështues të tij.

“Afati kalimtar ka pasur efekt tek unë. Ka qenë një sezon i vështirë me shumë fjalë. Kishte ngritje dhe rënie. Në përgjithësi nuk ishte sezon dhe aq pozitiv për mua”, u shpreh Mehmeti për të përditshmen suedeze Sportbladet.

Çështja lidhet mbi të gjitha me klubin italian Palermo, ku Mehmeti ka dëshirë të lëvizë vitin e ardhshëm. Mirëpo, shumëçka nga historia me klubin nga Serie A ka mbetur vetëm një mister.

E vetmja gjë e qartë ishte deklarata kontroverse e presidentit të Palermos, Maurizio Zamparini, muaj më parë. “Në muajin janar, sulmuesi i Malmos, Mehmeti, të cilit i skadon kontrata në fund të vitit, mund të vijë në Palermo”, kishte deklaruar gjatë verës kreu i klubit sicilian.

Mehmeti nuk ka dashur ta konfirmojë këtë aferë, por thotë se të gjithë flasin për Palermon dhe se përfundimi i kontratës me Malmon e ka goditur negativisht. “ Kur flitet për gjëra të tjera, nuk e ke sigurinë e njëjtë, nëse do të kisha kontratë 2-3 vjeçare. Nuk dëshiroj të flas për Palermon. Të shohim se çka do të ndodhë në muajt e fundit”, vazhdoi ai.

Mehmeti ka kontratë me Malmon deri në nëntor të këtij viti. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i nisë bisedimet me udhëheqësit e klubit suedez rreth vazhdimit të kontratës, ose të largimit drejt një ligë me të fortë evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›