E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona mbështetet tek Mesi: Kam besim tek ti

Asnjë problem komunikimi, asnjë vështirësi në raportet me Leo Mesin. Gjatë orëve të fundit, Diego Armando Maradona ka “folur shumë” me talentin argjentinas dhe i ka kërkuar atij që të udhëheqë skuadrën në ndeshjen e sotme kundër Uruguajit në Montevideo.

Një ndeshje tepër e rëndësishme, sepse do të vendosë mbi fatin e të dy skuadrave në rrugën e tyre drejt Kupës së Botës. Si Uruguaji, ashtu edhe Argjentina do të luajnë duke e ditur se janë zotër të fatit të tyre, ndërkohë që në rast humbjeje, gjithçka do të varet nga ndeshja midis Kilit dhe Ekuadorit.

Skuadra e Maradonës ka në dispozicion dy mundësi për t’u kualifikuar direkt në Botëror (në rast të një barazimi, vetëm një goleadë e Ekuadorit ndaj Kilit do ta çonte Argjentinën në playoff). Ndërkohë që Uruguajit mund të mos i mjaftojë barazimi për t’u ndeshur në playoff me skuadrën e CONCACAF-it (zona e Amerikës Qendrore).

Sipas asaj që raporton televizioni argjentinas “TYC Sports”, Maradona i ka thënë Mesit që nëse arrin të zhvillojë një ndeshje të mirë kundër Uruguajit, ka mundësi që të shuajë të gjitha kritikat dhe polemikat që kanë qarkulluar kohët e fundit në Buenos Aires, pas ndeshjeve zhgënjyese të lojtarit të Barcelonës me fanellën e Kombëtares.

Kurse disa media lokale kanë mohuar lajmet e publikuara dje nga gazetat spanjolle mbi mungesën e dialogut dhe raportet jo të mira midis ish “Pibe d’Oro”-s dhe Lionel Mesit.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›