Ok gjyqtarit të zonës, nis nga Champions League
Në mbledhjen e djeshme në Kardif, Uells, nënkomiteti teknik i Bordit të Federatave të Futbollit (IFAB) ka aprovuar kërkesat e disa federatave për të eksperimentuar me dy gjyqtarë shtesë prapa portave, që do të ndihmojnë drejtuesin e garës, gjatë sezoneve 2010/2011 dhe 2011/2012. Dy gjyqtarët shtesë mund të përdoren në Champions League 2010/2011 e 2011/2012, në Europa League 2010/2011 e 2011/2012 dhe në Superkupën e Europës 2010 e 2011. Pra, një nga skuadrat që do të testojë këtë risi, do të jetë Interi, në Superkupën e Europës në Montekarlo kundër Atletikos së Madridit më 27 gusht. Janë katër kriteret për aprovimin e eksperimentit, të testuar në edicionin e kaluar në Europa League: duhet të realizohet në kampionatet profesioniste dhe në kompeticionet e federatave pjesëmarrëse. Duhet të aplikohet në kohë dhe të bëjë të mundur që më 2012-n të merret një vendim përfundimtar (po në këtë vit do të mbahet edhe kongresi i 126 i bordit ndërkombëtar). Kostot shtesë do të paguhen nga ligat, nga federatat ose nga konfederatat në fjalë. është e detyrueshme që të gjitha ndeshjet e kompeticionit të zgjedhur do të luhen me dy gjyqtarë më shumë. Këto janë kompeticionet në të cilat do të aplikohet eksperimenti. Konfederata Aziatike (AFC): Kupa e Presidentit 2010 (nga 24 deri më 26 shtator); Konfederata Braziliane (Cbf): Kampionati Femëror 2010 (shtator-dhjetor 2010), Kampionati Karioka 2011; Federeta Meksikane (FMF): Turneu Klauzura 2011, Turneu Apertura 2011 dhe Turneu Klauzura 2012; Federata Franceze (FFF): Kupa e Ligës 2010/2011; UEFA: Champions League 2010/2011 e 2011/2012, Europa League 2010/2011 e 2011/2012; Superkupa e Europës 2010 e 2011. Në fund të deklaratës lexohet: FIFA dhe Mbikomisioni Teknik i IFAB konfirmojnë se argumenti eventual i përdorimit të teknologjisë në linjën e portës do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të bordit ndërkombëtar, i programuar në tetor.
#