SuperVan Persie, serish në shpëtim të Arsenalit

Ylli holandez, i cili është duke kaluar një periudhë të formës së shkëlqyeshme e vazhdoi atë edhe në Carrow Road ku e ngriti kuotën e tij të shënimeve në 13 gola nga 12 ndeshje. Arsenali ishte në disavantazh kur në minutën e 16-të Morison e kaloi Norwichin në epërsi pas një reagimi të dobët të qendërmbrojtësit Per Mertesacker.
Por, Van Persie barazoi në 1-1 në minutën e 27-të duke realizuar nga afërsia, për rezultatin përfundimtar të pjesës së parë. Në të dytën, ndeshja ishte mjaft e niveluar edhe pse rastet më të shumta i kishte Arsenali.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 59-të kur Van Persie realizoi golin e epërsisë për Topçinjtë e që doli të jetë i vlefshëm për tri pikë të reja të ekipit të Arsene Wengerit që tani ka tubuar 22 pikë nga 12 ndeshje.