E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari tenton vetëvrasje, shtyhet ndeshja Koln – Mainz

Ndeshja mes Kolnit dhe Mainzit, e vlefshme për xhiron e 13’të në Bundesligë u shty, 40 minuta para fillimit, pasi gjyqtari Babak Rafati tentoi të bënë vetëvrasje në dhomën e tij në hotel. Ai është në gjendje kritike, ndërsa ende nuk dihen motivet. 41-vjeçari është gjyqtar nga viti 2005 dhe ka drejtuar 84 ndeshje në divizionin e parë.

Dramë në xhiron e 13-të në Bundesligë. Ndeshja mes Kolnit dhe Mainzit është shtyrë 40 minuta para fillimit për shkak se gjyqtari që ishte caktuar për të ndarë drejtësinë, Babak Rafati, ka tentuar të bëjë vetëvrasje, disa orë para takimit.

Gjyqtari është gjetur në gjendje të rëndë në dhomën e një hoteli pas prerjeve në vena të duarve, e më pas është transferuar në spitalin e qytetit. Sipas medieve gjermane, gjendja e tij është kritike.

Në njoftimin e parë që iu bë tifozëve në stadiumin e Kolnit, ishte thënë se gjyqtari nuk ishte paraqitur me kohë për fillimin e ndeshjes dhe se ishte e pamundur të gjendet një zëvendësues për një kohë aq të shkurtër.

Reagimi nga tribunat ishte i pritur, vërshëllima të shumta. Por, nuk shkoi shumë dhe erdhi lajmi dramatik nga televizioni Sky. “Për aq sa kam njohuri unë, gjyqtari është gjallë”, tha zyrtari i Kolnit, Claus Horstmann.

Rafati, 41 vjeç, gjerman me origjinë iraniane, është një gjyqtar relativisht i ri në Bundesligë. Ai ndan drejtësinë në futboll nga viti 2005 dhe ka arbitruar 84 ndeshje të divizionit superior dhe 2 takime ndërkombëtare.

Për koincidencë, debutimi i tij në Bundesligë u bë më 6 gusht 2005, pikërisht në një ndeshje mes Kolnit dhe Mainzit. Ai është gjyqtar i FIFA-s nga 2008-ta, por nuk ishte nominuar nga Federata gjermane e Futbollit (DFB), për të ndarë drejtësinë në ndeshjet e këtij viti në shkallën ndërkombëtare.

Asnjë motiv për tentimin e vetëvrasjes nuk është bërë i ditur. Presidenti i shoqatës së gjyqtarëve, Herbert Ruppel ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni se “Rafati vuante nga probleme me depresion”.

Presidenti i Federatës gjermane të Futbollit, Theo Zwanziger ka shkuar menjëherë në spital ku është shtrirë Rafati duke anuluar vizitën e tij në ndeshjen e reprezentacionit të femrave të Gjermanisë kundër Kazakistanit në Wiesbaden.

Trajnerë të skuadrave të Bundesligës kanë shprehur habinë e tyre pas lajmit, pak më tepër se dy vite pasi portieri i Gjermanisë, Robert Enke kishte bërë vetëvrasje pas luftës së gjatë me depresionin.

“E njoh mjaft mirë, lajmi më ka shokuar”, tha trajneri i Hanoverit, Mirko Slomka për televizionin gjerman Sky. Edhe trajneri i Schalke 04, Huub Stevens e kishte të vështirë të shprehet.

“Është vështirë të besoni se mund të ndodhë diçka e tillë. Nuk kam fjalë. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme dhe futbolli është një gjë minore në krahasim me këtë. Besoj se askush nuk do të kishte pasur dëshirë të luajë pas dëgjimit të lajmit”, deklaroi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›