Merkel dhe Sarkozi, presion BE-së: Shpejtoni me planin për reformat
Presidenti francez, Sarkozi, dhe Kancelarja gjermane, Merkel, e kanë nxitur Brukselin që të përshpejtojë propozimet për shtrëngimin e instrumenteve të rregullatorëve financiarë dhe praktikave tregtare. Në një letër prej 2 faqesh drejtuar Presidentit të Komisionit Europian, Barrozo, të dy liderët i kanë kërkuar organit ekzekutiv të BE-së që të dalë sa më shpejt me plane konkrete për të reformuar dhe mbikëqyrur sistemin financiar dhe sektorë të posaçëm të tillë që u lënë më shumë hapësirë spekulimeve dhe transaksioneve jo të ndershme që shkaktojnë edhe pasoja të mëdha. Ata i kanë vënë afat komisionit që një veprim ta bëjë nga mesi i muajit të ardhshëm dhe jo në muajin tetor siç ishte edhe marrëveshja e parë. Duke u shfaqur në një front të unifikuar, Gjermania dhe Franca pas muajsh të tërë mosmarrëveshjesh dhe përplasjes për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me financat liderët e dy vendeve më të fuqishme të Bashkimit Europian kanë deklaruar se zhvillimet e fundit në tregjet financiare tregojnë për një ndërhyrje urgjente nga ana e komisionit dhe ai duhet që të përshpejtojë punën dhe afatet e vendosura më parë. Zëdhënësja e Komisionit Europian tha se institucioni do të njoftojë propozimin gjatë verës, por ajo nuk dha një datë të saktë për një gjë të tillë. “Ne e konsiderojmë letrën e Merkelit dhe Sarkozisë si një shenjë mbështetjeje ndaj përpjekjeve tona dhe jo si një ankesë”, ka deklaruar ajo. Megjithëse në këtë letër të dy vendet dalin në një zë të unifikuar prej shumë kohësh ata kanë pasur këndvështrime të ndryshme në lidhje me shumë çështje financiare si ajo e zgjidhjes së problemit të Greqisë, apo edhe për sa i përket mënyrës së reformimit të disa prej rregullatorëve financiarë në kontinent. Megjithatë, duket se të dy janë në një mendje për sa i përket shpejtësisë me të cilën duhet që të veprojë Komisioni Europian në mënyrë që të parandalohen situata të rënda financiare si ajo me të cilën po përballen pak a shumë të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka shprehur dje dyshime në lidhje me të dhënat statistikore të Bullgarisë për sa i përket shkallës së deficitit buxhetor.
#