E Diel, 1 Nëntor 2026

Marian Kola vdiq nga plumbi në shpinë. Balistika: Kishte qëlluar 23 herë

Sot u bënë publike rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore pas vrasjes së Marian Kolës në shkëmbim zjarri me policinë greke dhe kjo e fundit dha detaje nga operacioni. 

Ekspertiza mjeko-ligjore
Nga autopsia e kryer në spitalin e Janinës, e cila konfirmoi rezultatet e ekspertizës së djeshme në vendngjarje, mësohet se plumbi fatal që i mori jetën Marian Kolës, doli nga një armë e policisë EKAM. Ai ka qëlluar në shpinë, ka prekur gjoksin dhe zemrën, duke shkaktuar vdekjen e tij. Po sipas autopsisë, plumbi ka shkaktuar lëndime edhe në veshkën e majtë dhe në shpretkë.

Sakaq policia greke konfirmoi zyrtarisht se Marian Kola u qëllua për vdekje mëngjesin e datës 21 korrik 2013, pranë fshatit Vrosina të Sulit dhe u identifikua nga shenjat e gishtërinjve.

Viktimës iu gjet një armë tip Kallashnikov, 2 krëhëra me 40 plumba, një pistoletë Glock me fishekë, dhe një granatë e improvizuar. Pranë tij u gjet edhe telefoni celular, nga i cili policia pret të mësojë kush ishin bashkëpunëtorët e tij në këtë arratisje. Marian Kola mbante edhe një radio, me anë të së cilës me sa duket informohej mbi situatën.

Po sipas njoftimit zyrtar, nga plumbat e shqiptarëve u plagos një polic, i cili pas operacionit në spitalin e Janinës, është jashtë rrezikut për jetën.

Analiza balistike e armës
Nga analiza balistike e armës tip Kallashnikov të Marian Kolës, rezultoi se ai ka qëlluar 23 herë me të. 6 gëzhoja të plumbave të Kallashnikovit të tij u gjetën në vendin ku dje Kola shkëmbeu zjarr me policinë, 8 gëzhoja në një automjet Lada të vjedhur në 16 qershor, 3 gëzhoja në një kryqëzim në rrugën Trikala-Arta, ku u vodh një mjet Nissan dhe 6 gëzhoja në Nissanin e vjedhur në 5 korrik dhe më pas të braktisur. 

Vazhdon ndjekja për Ilir Kupën
Ndërkaq vazhdon ndjekja për të arratisurin tjetër Ilir Kupa, i cili sipas policisë është i armatosur dhe fshihet në zonën përreth. Përvec objekteve të Marian Kolës, policia gjeti në vendngjarje një jelek antiplumb dhe një cantë me ushqime të gatuara, që mendohet se janë braktisur nga Ilir Kupa. Hetimet e policisë vazhdojnë pa ndërprerje në zonën malore të Epirit, për të identifikuar Ilir Kupën dhe anembanë Greqisë për arrestimin e pjesës tjetër të arratisurve, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Krerët e Policisë Greke dhe Ministrisë së Rendit konferencë për shtyp
Krerët e Policisë Greke dhe Ministrisë së Rendit theksuan sot në një konferencë për shtyp, se që nga 22 marsi, kur shqiptarët u arratisën nga burgu i Trikalas, është zhvilluar në vazhdimësi një operacion i policisë, ku kanë marrë pjesë deri në 750 persona.

Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Greqisë Veriore, Dimitris Tsaknakis tha se dy të arratisurit ranë në pritën e policisë EKAM dhe kur iu bë thirrje që të dorëzoheshin, ata qëlluan me armët e tyre. Policia u kundërpërgjigj dhe vrau Marian Kolën, ndërsa Ilir Kupa arriti të shpëtojë, duke përfituar nga mjegulla.

I pyetur nëse gjatë kohës së operacionit ka patur gabime nga ana e autoriteteve zbatuese të ligjit, si pasojë e të cilave u vra një vajzë 25 vjeçare në Istmia dhe polici 37 vjecar në Distomo, Shefi i Policisë greke, Nikos Papajanopulos u përgjigj: "Asnjë koment".

Ministri i Mbrojtjes së qytetarëve Nikos Dendias nga ana e tij, bëri me përgjegjësi sistemin e burgjeve. Ai theksoi se situata në burgje është “shpërthyese” dhe shprehu bindjen se ministri aktual i Drejtësisë do të gjejë zgjidhje për këtë problem.

(Foto nga policia greke)   

(Foto nga epiruspost.gr)

(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›