Mario Monti jep dorëheqje

Kryeministri i qeverisë teknike të Italisë Mario Monti dha sot dorëheqjen pasi parlamenti i Italisë miratoi buxhetin për vitin 2013.
Monti e pati paralajmëruar dorëheqjen e tij më herët pasi Silvio Berlusconi tërhoqi mbështetjen e partisë së tij për qeverinë teknike.
Buxheti për vitin 2013 u miratua në parlamentin italian me 309 vota pro dhe 55 kundër. Të dielën Monti pritet të mbajë një konferencë për shtyp ku mund të sqarohet edhe nëse ai do të garojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen në shkurt 2013.
Monti mori qeverisjen e Italisë pasi vendi shkoi drejt falimentit financiar. Berlusconi parashikohet se do të humbasë zgjedhjet e ardhshme, por synimi i tij duket se është krijimi i një opozite solide që do t’i shërbejë për të mbrojtur veten nga gjyqet e shumta për evazion fiskal që po zhvillohen kundër tij.
Monti gëzon reputacion si një teknicien që arriti të rikthejë Italinë në rrugën e reformave ekonomike, uli koston e borxhit publik dhe qetësoi investitorët.
Italia ka një nga borxhet publike më të mëdha në eurozonë në rreth 120 për qind të PBB-së dhe rritja e interesave të borxhit, i hap rrugën falimentit të këtij vendi, që është njëkohësisht edhe ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë./Indeksonline/