E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mario Monti nderohet me cmimin Europiani i vitit

Kryeministri italian Mario Monti ka marrë çmimin "Europiani i Vitit". Atij iu dorëzua çmimi gjatë një ceremonie të mbajtur në Paris dhe të organizuar nga revista politike franceze "Trombinoscope". Në ceremoninë gala, Monti falenderoi jurinë dhe tha se shpresonte që me punën e tij të konsiderohej jo thjesht si një teknokrat i thirrur për të zgjidhur problemet e një vendi në vështirësi.
"Unë mendoj se ajo që ne kemi vendosur së bashku në Bruksel ... është mjaft e rëndësishme, une shpresoj dhe besoj ne armatimin definitiv për disiplinë buxhetore," tha Monti.
Çmimi iu dorëzua nga kryeredaktori i "Le Figaro" Paul-Henri du Limbert. Monti foli dhe për situatën e vështirë ekonomike të Italisë si dhe për marrëveshjen e arrirë në Bruksel për krijimin e mijëra vendeve të punës .
"Ambicia ime e thellë nuk është vetëm për të krijuar një Itali solide brenda Bashkimit Evropian dhe në zonën e euros në drejtim të zgjidhjes së problemeve, por edhe për të kultivuar shpresë pasi pranverën e ardhshme kjo qeveri do të largohet pasi do të kemi zgjedhje” tha Monti .
Vitet e kaluara me këtë çmim janë nderuar dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndër fituesit e këtij viti ishte dhe ministri i jashtëm francez Alen Zhupe, i shpallur Ministër i Vitit. Monti u vlerësua për përpjekjet e tij për të rifituar besimin e tregjeve përmes një programi reformash dhe kursimesh që synon të mbajë borxhin e Italisë nën kontroll.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›