E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekët marrin OSSH-në për 102 milionë euro

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur dje fitues shoqërinë çeke CEZ, e cila për 102 milionë euro do të jetë pronarja e re e 76 për qind e aksioneve të OSSH. Në garë morën pjesë dy shoqëri ofertuese: shoqëria italiane ENEL SpA dhe shoqëria çeke CEZ a.s. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur prej të dyja shoqërive të sipërpërmendura, rezultoi që oferta teknike e shoqërisë italiane ENEL SpA nuk ishte në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit, "Për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë të interesuar për blerjen e aksioneve të shoqërisë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a.", të ndryshuar. Ministria shpjegoi faktin e eliminimit nga gara të kompanisë së famshme italiane, ENEL, i cili lidhej më së shumti me mungesën e "planit të biznesit". Një tjetër mangësi lidhet me tekstin e formës së aplikimit në tender, i cili nuk i përmbahet Aneksit 15 të "Udhëzimeve për ofertuesit". Gjithashtu, tek oferta e kompanisë italiane mungonte drafti i Marrëveshjes për Blerjen e Aksioneve, si dhe forma e konfirmimit të kushteve minimale të detyrueshme të perfomancës teknike, dorëzuar nga shoqëria italiane ENEL SpA. Ndërsa dokumentacioni i paraqitur nga kompania çeke CEZ a.s. ishte në përputhje të plotë me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Nisur nga këto kushte, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi që oferta teknike e paraqitur nga kompania italiane ENEL SpA nuk e kalon vlerësimin teknik, pasi nuk respekton kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike, duke i hapur dritën jeshile kompanisë çeke. Edhe pas hapjes së ofertave financiare, u mësuar se CEZ kishte ofruar vlerën më të madhe, në rreth 102 milionë euro. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të bëjë vlerësimin e saj dhe më pas do t‘i propozojë qeverisë shqiptare shpalljen e fituesit.
Interesi
Tkurret interesimi për privatizimin e OSSH-së, në një kohë kur në fillim të procesit kishin shfaqur gatishmërinë rreth 21 kompani ndërkombëtare. Për shitjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, Ministria e Energjetikës kishte caktuar për hapjen e ofertave, ditën e djeshme, ku nga katër kompani, në tender morën pjesë vetëm dy: italianët e ENEL dhe çekët e CEZ. Nga gara u tërhoqën dy kompanitë austriake, EVN dhe "Energie Stetemark Ag". Kjo e fundit ishte pjesëmarrëse në tender, por në minutat e fundit deklaroi tërheqjen nga gara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›