E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Teorikisht, të prekur nga kriza

Përhapja e krizës së ekonomisë amerikane në tregjet ndërkombëtare financiare dhe paqartësia për përmasat e saj, teorikisht rrit rrezikun e ndikimit të sistemit financiar në vend, por praktikisht, kjo krizë nuk e ka shtrirë ndikimin e vet në aktivitetin bankar në Shqipëri. Ky është qëndrimi i parë zyrtar lëshuar dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë mbledhjes së zhvilluar dje me krerët e bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë. Duke u nisur nga zhvillimet e fundit në tregjet e huaja financiare, kreu i BSH-së vendosi marrjen e disa masave, duke thirrur në radhë të parë për më shumë kujdes nga ana e bankave në vend. Edhe pse praktikisht nuk jemi të prekur nga kriza, Fullani ka propozuar një sërë masash, të cilat shmangin prezencën e krizës në tregun e sistemit tonë bankar. Niveli relativisht i ulët i ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare, niveli i ulët i integrimit në përgjithësi dhe mirëkapitalizimi i veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre, që veprojnë në vendin tonë, janë disa nga faktorët që kanë mbajtur larg shtrirjen e krizës financiare në vend. "Në përgjithësi, gjykojmë se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik, që të ketë mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar", u shpreh guvernatori i BSH-së, Fullani.
Situata
Banka e Shqipërisë kërkon një vigjilencë në nivele të larta nga ana e bankave që operojnë në sistemin tonë, duke i parashtruar marrjen e disa masave, në mënyrë që efektet e krizës të jenë sa më të vogla. Në këtë situatë, të gjitha bankat e nivelit të dytë duhet që sa më shpejt të bëjnë një analizë "kosto/rrezik" të të gjitha veprimtarive të saj dhe të shtrijë sistemet e teknologjisë së informacionit, të paktën në ato drejtime të veprimtarisë ku rreziku, në mungesën e saktësisë së proceseve, është më i madh. Një tjetër masë e nevojshme lidhet me forcimin e strukturave njerëzore të kontrollit, i cili duhet të shtrihet në të gjitha proceset e veprimtarisë, veçanërisht në operacionet e thesarit, të mbledhjes së depozitave dhe të dhënies së kredive, si edhe të kryerjes së transfertave dhe pagesave. "Duke iu rikthyer situatës në tregjet financiare ndërkombëtare, dua të theksoj se për të gjithë ne është e pafalshme çdo lloj neglizhence në lidhje me vlerësimin serioz të zhvillimeve të fundit në këto tregje", bëri të ditur Fullani. Banka e Shqipërisë do ta verifikojë më tej zbatimin e detyrave të lëna për bankat e nivelit të dytë. "Nëse do ta konsiderojmë të nevojshme, si autoritet rregullativ i sektorit bankar, do t‘i orientojmë dhe do t‘i mbështesim këto veprime, nëpërmjet rishikimit të vazhdueshëm dhe krijimit të stimujve të nevojshëm rregullativë", përfundoi Fullani.

Detyrat
Elementet që duhen marrë
në konsideratë nga bankat

- Mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si "likuide". Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët.
- Diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar.
- Për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.
- Disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit.
- Për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficensës, sektori bankar në vendin tonë ka pasur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të eficensës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e eficensës në përdorimin e fondeve nuk e cenon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›