E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen pika e gazit, vdes një fëmijë

Një vajzë 9 vjeçe ka vdekur e shkrumbuar nga flakët, ndërsa prindërit e saj dhe shoferi i një autoboti me gaz të lëngshëm kanë pësuar djegie të rënda dje paradite. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lapardha, 4 kilometra larg qytetit të Beratit, kur një zjarr i madh ka shpërthyer gjatë shkarkimit të një sasie të madhe gazi të lëngshëm në një pikë shpërndarjeje. Sipas policisë lokale, ishte ora 11:00, kur në pronën e shtetasit Beqar Cami, në fshatin Lapardha të Komunës Otllak, ka shpërthyer një zjarr i madh, që përfshiu një magazinë që përdorej për shitjen e bombolave të gazit, si dhe shtëpinë e këtij shtetasi. Beqar Cami kishte ngritur prej disa vitesh një pikë të shitjes së gazit të lëngshëm në ambientet e jashtme të shtëpisë së tij, fare pranë me banesat e tjera të fshatit. Dje paradite, një autobot nga Fieri kishte shkuar në fshatin Lapardha për të mbushur me gaz depozitën prej 15 mijë litrash të Camit. Por, për shkak të një defekti në saraçineskë, apo të ndonjë gabimi njerëzor gjatë montimit të tubacioneve, një sasi e madhe gazi është përhapur në ambient dhe ka shpërthyer pasi ka rënë në kontakt me zjarrin e ndezur pak metra më tutje, ku pronari i pikës së shitjes së gazit ishte duke zierë raki. Banorët e zonës thanë se është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm dhe sa hap e mbyll sytë zjarri ka pushtuar godinat që ndodheshin pranë vatrës së shpërthimit. Nga flakët është përfshirë magazina që përdorej për shitjen e bombolave të gazit si dhe shtëpia ngjitur me të. Të parët që shkuan në vendngjarje ishin fqinjët e familjes Cami, të cilët menduan se në ato momente në banesë ndodhej vetëm çifti, pasi vajza 9 vjeçe e tyre duhet të ishte në shkollë. Fshatarët kanë njoftuar policinë dhe pa pritur mbërritjen e saj kanë transportuar për në spital Beqar Camin, gruan e tij Zanën, si dhe shoferin e autobotit, Pashanjor Aga, të cilët kishin pësuar djegie të rënda. Vetëm kur gruaja e plagosur rëndë është përmendur në spital, është marrë vesh se në shtëpi ndodhej edhe Ardenica, vajza 9 vjeçe e çiftit. Kur zjarrfikësit hynë në shtëpinë e djegur, nga vajza kishte mbetur vetëm një siluetë e karbonizuar, mbi hirin e librave dhe fletoreve të shkollës. Ndërkohë, forcat e policisë dhe ato të repartit zjarrfikës kanë pasur shumë punë për të parandaluar përhapjen e flakëve në banesat përreth. Rreziku kryesor ka qenë ai i shpërthimit të autobotit me një sasi prej rreth 30 mijë litrash gaz të lëngshëm, çka mund të shkaktonte një katastrofë të vërtetë, pasi rrezja e shpërthimit llogaritej të shkonte deri në 200 metra. Duke vlerësuar realisht rrezikun, shefi i krimeve në Komisariatin e Policisë së Beratit, Përparim Dyrmishi, ka hipur vetë në timonin e autobotit që ndodhej mes flakëve dhe e ka nxjerrë makinën në një zonë të pabanuar, disa qindra metra larg vendit të shpërthimit. Janë dashur rreth dy orë që situata të vihej nën kontroll dhe në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar vullnetarisht shumë banorë të fshatit, prona e të cilëve rrezikohej seriozisht nga avancimi i zjarrit.

Precedenti

Ndjekje penale

shitësve të gazit

Tregtarët e gazit të lëngshëm në Korçë, që ushtrojnë aktivitetin afër qendrave të banuara, janë çuar për ndjekje penale. Shkak është bërë shkelja e urdhrit për pezullimin e aktivitetit të tyre si rrjedhojë e rrezikshmërisë së lartë që paraqesin nga shpërthimet dhe rënia e zjarreve. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i cili dy muaj më parë vendosi të mbyllë këto aktivitete pas një shpërthimi në një dyqan që nuk plotësonte kushtet e sigurisë teknike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›