Kriza në SHBA, kosto 700 miliardë USD
Zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës financiare në SHBA, duke kulmuar javët e fundit me falimentimin e një prej bankave më të mëdha të investimeve "Lehman Brothers". Para këtij falimentimi të bujshëm, dy gjigantet e financimit të hipotekave në Amerikë, "Freddie Mac" dhe "Fannie Mae", iu nënshtruan një plani të pazakontë dhe të kushtueshëm shpëtimi, të ideuar nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Në fakt, ky veprim përbën vetëm një nga ndërhyrjet e autoriteteve amerikane në këtë situatë, për t‘i lënë vendin një sërë të tjerave më pas, si në rastin e kompanisë së sigurimeve AIG, bankës "Merryl Lynch" dhe veçanërisht planit të bërë publik më 21 shtator 2008, për krijimin e një fondi 700 miliardë dollarë për blerjen e aktiveve me probleme.