E Diel, 1 Nëntor 2026

Mark Marku: Opozita, qëndrime kontradiktore për thyerjen e bojkotit, nuk mund ta presim

19-07-2011 / Gazeta 55

Komisioni i Medias miraton në parim projektligjin për median

Komisioni i Medias ka miratuar në parim projekt-ligjin për transmetimet me zë dhe figurë, ligj i cili ka të bëjë me organizmin dhe funksionimin e medias elektronike në vend. Puna për ligjin e konsultuar dy herë me grupet e interesit dhe të hartuar me ekspertizën e Këshillit të Evropës, Komisionit Europian dhe OSBE-së, ka nisur në 2008-ën. Deputetët e këtij komisioni do të kenë një punë të madhe për të bërë gjatë shqyrtimit dhe miratimit nen për nen të projekt-ligjit, për vetë rëndësinë që mbart përputhja e legjislacionit shqiptar me atë të Komunitetit Evrpian. Kjo pasi, siç u shpreh dhe nënkryetari i Komisionit Mark Marku, do të merren parasysh mbi 90 për qind e propozimeve të grupeve të interesit, si dhe vërejtjet e reja që së fundmi ka bërë OSBE, ndaj këtij drafti.
Marku tha se projektligji për median është konsultuar me ekspertë të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së. Po ashtu edhe me grupet e interesit, projektligji është diskutuar si dhe ka mbledhur sugjerimet përkatëse.
Në mbledhjen e djeshme, deputeti i vetëm i PS-së, Kastriot Islami, kërkoi që miratimi i ligjit të shtyhet për në shtator, kur edhe pritet që kolegët e tij t’i japin fund bojkotit, pasi Komisioni Europian ka kërkuar ligj konsensual. Nga ana e tij, demokrati Marku tha se komisioni do të vazhdojë punën pavarësisht bojkotit të opozitës. Ai tha se komisioni nuk mund të presë kthimin e PS-së në Kuvend, pasi përfaqësuesit e opozitës ndajnë qëndrime kontradiktore lidhur me thyerjen e bojkotit.
“Ligji mund të ishte miratuar 2 vite më parë, por mazhoranca priti rikthimin e opozitës në Kuvend. Për këtë është ngritur edhe një grup i përbashkët pune PD-PS. Ligji është një produkt i specialistëve të fushës si dhe opinionit të ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së. Ne do të vazhdojmë punën deri në përmirësimin e plotë të ligjit. Më duhet të theksoj se opozita ndan qëndrime kontradiktore për rikthimin ose jo në Kuvend. Ne s’mund të presim”, u shpreh deputeti demokrat dhe njëherazi nënkryetari i komisionit parlamentar të Medias dhe Informimit, Mark Marku.
Sot komisioni do të diskutojë ligjin nen për nen, ndërsa pritet që gjatë seancës së ditës së enjte të marrë votën e ligjvënësve në Kuvend. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›