“Vitet 2009 - 2011, vite historike reformash”
Bilanci i aktivitetit 2-vjeçar të Kuvendit
Në mbledhjen e fundit të grupit kuvendor demokrat për këtë sesion Parlamentar, kryeministri i vendit Sali Berisha bëri një përmbledhje të ligjeve, vendimeve dhe rezolutave të miratuara në Parlament, bazë këto e një tërësie reformash transformuese për vendin.
Duke i falënderuar deputetët e mazhorancës për kontributin e tyre, ata të Partisë Demokratike dhe partive aleate të saj, kryeministri Berisha u shpreh se për dy vite Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 308 ligje, 454 akte, 111 vendime si dhe 35 rezoluta.
“Nga shtatori i vitit 2009 e deri në shtator të vitit 2011, ju keni shqyrtuar, keni diskutuar, keni përmirësuar, keni miratuar 454 akte, të cilat qëndrojnë në themelin e atij universi reformash që po ndryshon çdo ditë Shqipërinë. Në këtë hark kohor, ju zotërinj deputetë, keni miratuar 308 ligje, 111 vendime, 35 rezoluta, bazë këto e një tërësie reformash transformuese. Në historinë e legjislativit shqiptar disa akte tuajat mbi funksionimin e Parlamentit do të mbeten, do të shndrisin gjithnjë. Ju jeni mazhoranca që shkëputët burokracinë shqiptare nga praktika kolltukofage e nomenkaturës komuniste, duke e zëvendësuar atë praktikë me një prej standardeve më të avancuara të botës së lirë dhe vendeve të lira. Reforma e transportit të funksionarëve publikë përbën një nga arritjet më madhore, jo në vlerë monetare sesa në vlerë konceptuale. Ju, zotërinj deputetë, vendosët për heqjen e imunitetit të anëtarëve të mazhorancës, adaptuat kështu standardin e një vendi të madh që shkëlqen për transparencën e tij në Evropë dhe në botë, standardin e Bundestagut gjerman”, u shpreh kryeministri.
Ai vlerësoi se mazhoranca mbyll këtë legjislaturë parlamentare, pasi falë reformave të guximshme ia doli të shpëtojë ekonominë shqiptare nga rreziku i recensionit global, i cili mbërriti deri te fqinjët tanë.
“Ju e mbyllni këtë sesion parlamentar pasi keni shqyrtuar dhe miratuar reformat e thella, të cilat bënë të mundur që ekonomia shqiptare në kohë krize të madhe për ekonominë evropiane dhe atë botërore, të rezistojë e të mos njohë recesionin. Me politikat fiskale që ju votuat në këtë Parlament, me ligjet që ju miratuat për klimën e biznesit, keni bërë të mundur që kjo ekonomi, ndër më të paktat në Evropë, të mos njohë recesionin, të kryesojë rritjen ekonomike në Evropë, të jetë e vetmja në këtë kontinent që në një hark kohor gjashtë vjeçar të trefishojë eksportet e saj. Ju keni bërë të mundur zbatimin e politikës së rritjes së rrogave dhe pensioneve në mënyrë konstante, persistente. Keni bërë të mundur miratimin e dhjetëra e dhjetëra koncesioneve me të cilat asetet e rëndësishme të shqiptarëve do të shndërrohen në vlera të vërteta për ta. Keni votuar ligje të rëndësishme dhe paketa ligjesh për privatizim. Unë kam kënaqësi t’ju them se mbi bazën e këtyre ligjeve të votuara nga ju, të këtyre vendimeve të marra nga ju, jemi në prag dhe është ndërmarrë një proces para-përfundimtar në të cilin do të privatizohen 1280 sipërmarrje të mëdha, të vogla, objekte të të gjitha fushave. Them para-përfundimtar, pasi përfundimtarja nuk ekziston, sepse të gjitha vlerat që krijohen do të ecin drejt privatizimit në filozofinë tonë. Ne besojmë se asgjë nuk mund të parakalojë menaxhimin privat dhe kapacitetet menaxheriale private”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri theksoi se ligjet dhe marrëveshjet e miratuara në Kuvend, i dhanë frymë ndërtimit të segmenteve rrugore, autostradave dhe korridoreve e deri te rrugës dytësore – rurale.
“Ligjet dhe marrëveshjet që ju keni votuar me institucionet financiare ndërkombëtare bënë të mundur zbatimin e projektit më ambicioz që një vend mund të ketë pasur ndonjëherë, ndërtimit të mijëra e mijëra kilometrave rrugë, nga korridoret e mëdha, autostradat, superstradat e te rrugët rurale dytësore. Jo vetëm u mbyll përfundimisht korridori i kombit, por ka nisur dhe një tjetër korridor nevralgjik, jashtëzakonisht i rëndësishëm, korridori Tiranë – Elbasan. Sikundër, po ecet në të gjitha drejtimet në rrugën e dytë të kombit, rrugën e Arbrit. Autostradat dhe superstradat e jugut po shkojnë drejt përfundimit, si Levan - Vlorë, Levan - Tepelenë, Kardhiq - Delvinë”, theksoi kryeministri.
Berisha vlerësoi si reforma të guximshme ato për arsimit shqiptar dhe shëndetësinë. Sukses të veçantë do të konsideronte kryeministri, reformimin e Agjencisë së Investimeve të Huaja Direkte (AIDA).
“U themelua AIDA, sipas modelit evropian më shpresëdhënës. Sistemi i inspektorateve të vendit ka pësuar transformime të thella. Janë dhënë dhe do të jepen një seri koncesionesh të tjera, shërbime, para së gjithash dhe mbi të gjitha, për të përmirësuar menaxhimin dhe luftuar korrupsionin. Në fushën e bujqësisë nisën dy projekte të mëdha dhe në tërësi në të gjitha fushat”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha, duke premtuar se falë shfrytëzimit të plotë të potencialeve të vendit, Shqipëria do të zhvendoset nga një vend me nivel të ardhurash të mesme të larta, në një vend me nivel të ardhurash të larta.