E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet sot Këshilli i Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE

19-07-2011 / Gazeta 55

Sot në Bruksel do të zhvillojë punimet këshilli i Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian. Ky takim pritet të ndalet veçanërisht në perspektivën evropiane të vendit tonë, ndërsa draft-konkluzionet e përbashkëta të takimit të Këshillit të Tretë të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri përmbajnë lidhur me politikën, nënvizimin nga ana e Bashkimit Europian, se “mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik dhe si pasojë, themelor ne procesin e anëtarësimit”.
Lidhur me çështjen e situatës politike të bllokuar në vend, ky draft përcakton se “Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen për vazhdimin e ngërçit të gjatë politik dhe klimës konfrontuese politike në vend”.
Më tej, BE përsërit thirrjen se reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve janë prioritetet kyçe të opinionit.
Në konkluzion, Bashkimi Europian përkujton se përparimi i vendit në rrugën e integrimit varet vetëm nga plotësimi i 12 kritereve kyçe, për të cilat, zbatimi i planit të aksionit nuk ka nisur ende.
Në fund të KSA-së së radhës, që zhvillohet në Bruksel më 19 korrik, pritet dhe një deklaratë e përbashkët BE-Shqipëri, me përfundime të përafruara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›