E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, Mediu: PD-PS duan monopol

Mediu dje në Asamblenë e PR

PR mbledh Asamblenë Kombëtare. Kreu i PR: Rama bllokoi reformat.

Janë 25 mandate që u janë marrë partive nga PD e PS

Pas votës abstenim për shtyrjen me dy muaj të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Mediu ka akuzuar dje dy partitë kryesore se po tentojnë eliminimin e partive të vogla.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se në axhendën e Komisionit për Reformën Zgjedhore duhet të përfshihen dhe propozimet e partive të tjera parlamentare për ndryshimin e sistemit në proporcional me korrektim kombëtar të votës. Për Mediun, sistemi aktual eliminon garën dhe i shndërron kandidatët në të emëruar politikë. Kjo reformë nuk kërkon të zgjidhë problemin, por ta thellojë atë, më qëllim krijimin e monopolit në jetën politike. Së pari, monopol partiak duke tentuar eliminimin e partive politike, përveç PD-së dhe PS-së. Së dyti, krijimin e një monopoli tjetër brenda partive politike në një grup të vogël njerëzish. Së treti, krijimin e një parlamenti me përfaqësim të deformuar dhe deputetë në shumicën e tyre jo të zgjedhur, por të emëruar, për më keq, jo të përgjegjshëm përballë atyre që kanë votuar, por përballë atyre që i kanë emëruar, theksoi kreu u PR-së.
Propozimet
Për republikanët, Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të fusë në axhendën e saj ndryshimin e sistemit elektoral, lista të hapura të kandidatëve, kontrollin e kartave të identitetit, eliminimin e komisionerëve partiakë dhe numërim elektronik të fletëve të votimit. Për shkak të formulave absurde që janë përdorur, janë mbi 25 mandate deputetësh, të cilat u janë marrë padrejtësisht partive të tjera në favor të dy partive të mëdha, deklaroi Mediu. Para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Mediu ka akuzuar kryesocialistin Rama për bllokimin e reformave integruese të vendit. Mediu deklaroi se socialistët po krijojnë konflikte të paqena për tu mohuar shqiptarëve një shans për të marrë statusin e vendit kandidat. Shqiptarët tashmë janë të zotë të gjykojnë dhe vlerësojnë drejt dhe me votën e tyre kanë treguar se zgjedhja është BE, dhe jo konflikti, prandaj me votë kanë ndëshkuar ata që kanë zgjedhur konfliktin dhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale është një thirrje për z. Rama dhe Partinë Socialiste të gjejnë rrugën e tyre jo thjesht si opozitë, por si pjesë e qenësishme për të realizuar këto qëllime të mëdha, deklaroi Mediu.

Sabri Godo
Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane ka nisur dje punimet me një minutë heshtje për të nderuar figurën e Presidentit të Nderit të PR-së, Sabri Godo, i cili ndërroi jetë një vit më parë. Më lejoni tju kërkoj ju, në emër të respektit, kontributit dhe vlerave më të mira që përcolli te të gjithë, ne të mbajmë një minutë heshtje për themeluesin e Partisë Republikane, kryetarin e Asamblesë Kombëtare, shkrimtarin dhe politikanin, njeriun e mirë. z Sabri Godo, pohoi Fatmir Mediu.

Kodi Penal
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, e cilësoi debatin prej 5 orësh të zhvilluar një ditë më parë në Kuvend për Kodin Penal, si një qëndrim absurd të Partisë Socialiste. Sipas Mediut, PS, pasi kundërshtoi Kodin, në fund e votoi atë me konsensus. Pse gjithë ky debat? Nëse socialistët besonin në vlerat europiane të propozimeve të tyre, atëherë mosvotimi i tyre është nonsens, me justifikimin se e bënë për shkak të kompromisit. Sepse vetë BE nuk do të pranonte Kod Penal jashtë standardeve europiane, deklaroi kreu i PR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›