Markelian Kapedani: Muzika e viteve ’90-të xhazi dhe shkarravinat e sotme
Si e nisi karrierën si muzikant në orkestrat e vallëzimit në Itali dhe në klube nate, për të arritur deri te bashkëpunimi me këngëtarë të njohur si Fausto Leali apo Iva Zaniçhi. . . Pak e nga pak, dhe më në fund ai arriti të hynte në xhiron e Jazz-it
Sapo ka nxjerrë në treg albumin e dytë të titulluar “Ballkan Bop” dhe më 13 nëntor në Festivalin e Jazz-it (xhazit) ai do të këndojë përkrah emrave më të njohur të muzikës Jazz. Markelian Kapedani nuk e ka patur aspak të lehtë në rrugën artistike larg Shqipërisë që nga vitit 1997 kur vendosi të braktiste karrierën e tij artistike në Shqipëri për ta filluar nga e para në Itali. Sot ai i është shtuar listës së muzikantëve më të njohur të muzikës Jazz. Një muzikë që ai e ka njohur shumë kohë më parë, kur në Shqipërinë komuniste ajo etiketohej si muzikë “imperialiste”, e mbi bazat e së cilës sot Kapedani, duke ecur në gjurmët e të atit Gjon Kapedani, ka arritur suksesin jo vetëm në Itali por dhe me gjerë. Në një intervistë për “Mapon” kompozitori Markelian Kapedani rrëfen gjithçka mbi të shkuarën dhe të tashmen e muzikës dhe jo vetëm asaj jazz.
Në Edicionin XIV të “Padova Jazz Festival” ju do të jeni krah Gino Paoli-t dhe Benny Golson-it, që sjellin shkollën italiane të jazz-it dhe asaj amerikane. Ndërkohë, ju do të luani jazz-in ballkanik. Si qëndrojnë këto tri shkolla në raport me njëra-tjetrën? A mund të themi sot se Ballkani (në veçanti Shqipëria) e ka një shkollë të tillë?
Sot Jazz-i gjendet në një pozicion mjaft interesant. Ai ka me vete traditën e fortë afro/amerikane të konsoliduar në vite, është i rrënjosur mirë në Europën Perëndimore (nëpërmjet shkollave të shpërndara gjithandej nëpër Europë), por njëkohësisht po shtrihet edhe në zona “të reja” gjeografike, ku më përpara ai ishte i ndaluar. Përpjekjet për të bërë një muzikë të tillë janë të lidhura ngushtë me gjuhën e artikuluar muzikore Jazz të stilit Bebop, notave Blù dhe ritmit Swing. Pa këto elemente është e vështirë të themi se po bëjmë Jazz. Për këtë arsye, tentativat për një Jazz ballkanik të shumë muzikantëve ballkanas që e duan Jazz-in, nuk kanë dhënë gjithmonë efektin e duhur, për arsyen se mes frazave melodike tipike Jazz dhe frazave melodike popullore ballkanike (në lojën muzikore që bëhet gjatë improvizimit) ekzistojnë disa parametra që në mënyrë direkte nuk janë kompatibël mes tyre. Për shembull: Në meloditë popullore, qofshin ato greke, shqiptare apo sllave, (në të shumtën e rasteve) mungojnë tingëllimet e notave Blù, pa të cilat personalisht dyshoj se mund të ketë Jazz. Instrumentet që shoqërojnë ritmikisht melodinë, si p.sh kitara apo instrumentet me tastierë si Fizarmonika apo Pianoforte, janë të lidhura me traditën e ritmeve popullore autoktone. Për këtë arsye ndihet mungesa e rrahjes ritmike “Swing”. Ky ritëm funksionon si ngjitës (zam) gjatë improvizimit. Një tjetër aspekt interesant është ai i “modeve” dhe “akordeve”. Por këtu futemi pak në aspektin teknik… Për të bërë të mundur ekzistencën e një Jazz ballkanik, është e rëndësishme gjetja e pikës së përzierjes së gjithë këtyre elementeve që përmenda. Teknikisht, një gjë e tillë është e mundur. Për të apasionuarit e paktë të Jazz-it, mjafton të përmend hungarezin Ferenc Snétberger, apo sllavin Duško Goykovič … etj., për të kuptuar që është e mundur të kemi një shkollë të Jazz-it ballkanik. Për sa i përket Shqipërisë, ndihet menjëherë mungesa e kësaj muzike! Pse? Përgjigjja vjen vetvetiu. Në Shqipëri mungojnë artistë të tillë të aftë për të përzier traditën popullore autoktone me gjuhën e sofistikuar të Jazz-it. Jazz-i sot, dalëngadalë po rinovohet me tingëllime të reja falë kontaminimeve ballkanike dhe orientale.
Në tregun e shitjes së muzikës shqiptare mund të gjesh çfarëdolloj muzike, ndërkohë albumet e Markelian Kapedanit mungojnë. Përse?
Ky problem është i lidhur me tregun muzikor në Shqipëri, i cili në të shumtën e rasteve nuk respekton ligjin. Me këtë rast dua të vë në dukje se as organet shtetërore, (po qe se ekzistojnë), nuk kryejnë funksionin e duhur në kontrollin e tregut muzikor. Ne muzikantët kompozitorë kemi të drejtat e pronësisë mbi pjesët muzikore që shkruajmë. Disqet e mia shiten nëpërmjet internetit, si p.sh: iTunes apo eBay, ndërsa për sa i përket shpërndarjes fizike të CD-ve, shtëpia diskografike “Red Records” mbështetet te shoqëritë private që merren me distribucionin. Kështu, për çdo CD të shitur (mbi të cilin është ngjitur një pullë e shoqërisë së të drejtave të autorit, e cila ka një kosto minimale), unë marr përqindjen time. Përveç kësaj, sa herë që ndokush tjetër luan ndonjë pjesë timen në festa publike, martesa apo koncerte, artisti apo grupi në fjalë është i detyruar të plotësojë një program me emrat e pjesëve që ka luajtur (përfshirë këtu edhe pjesën time). Këto fitime i bashkëngjiten shitjeve të CD-ve. Ky është një aspekt ekonomik i rëndësishëm për artistin. Në Shqipëri përveç Albautor-it, që me sa di unë nuk është në gjendje të kontrollojë shitjen e CD-ve në të zezë, sepse, sipas meje, shteti shqiptar vazhdon akoma të injorojë faktin që edhe artistët me punën e tyre kontribuojnë në ekonominë e vendit, nuk ekzistojnë organizma shtetërorë apo privatë që të shpërndajnë dhe të kontrollojnë tregun muzikor. Për këto arsye mungojnë disqet e mia!
Duket se folklori shqiptar po rikthehet suksesshëm, sidomos në muzikën jazz. Kemi shumë këngëtarë shqiptarë që po bëjnë karrierë në muzikën jazz (kam parasysh këtu Eda Zarin në Gjermani, apo Elina Dunin në Zvicër), që çelësin e suksesit e kanë gjetur pikërisht te folklori shqiptar. Çfarë e sheh kaq interesante te folklori ynë publiku huaj?
Interesantja qëndron te tingëllimi “ndryshe”!!! Ky tingëllim është i lidhur me traditën e muzikës sonë, me meloditë tona, me ritmet vallëzuese që shoqërojnë festat dhe martesat tona. Kjo është edhe një ndër aspektet e reja të Jazz-it të sotëm! Me këtë rast, nuk mund të rri pa e thënë, por këta artistë bëjnë Jazz falë shtresës shoqërore në të cilën jetojnë. Edhe pse shqiptarë, ata i referohen jetës kulturore të vendeve perëndimore ku aktualisht jetojnë. Ky fakt duhet të na bëhet mësim për të rregulluar ato aspekte të jetës artistike që në atdheun tonë nuk po dinë të rimëkëmben.
Babai juaj luante këtë muzikë në Kafen e Madhe në Shkodër para viteve ‘60. A mund të na rrëfeni diçka nga kujtimet e babait tuaj kur në Shqipërinë komuniste luhej muzika e Amerikës “imperialiste”...?
Po. Im’atë luante në pianoforte me një formacion të vogël orkestral te Kafja e Madhe në Shkodër. Te ky lokal takoheshin muzikantët e epokës së tim’eti. Sikur komunizmi t’mos kishte bërë atë që bëri në Shqipëri, Kafja e Madhe sot do ishte një vend fantastik, do ishte një ndër lokalet më me rëndësi të vendit tonë. Ajo do ngjante me Minton’s Club apo Savoy Ballroom në Harlem - USA. Ndërsa realiteti për fat të keq është krejt ndryshe…
Kontakti juaj me Jazz-in ka qenë para viteve ’90, kohë kur ju zbuluat disa partitura të babait në shtëpi...
Po. Partiturat e para Jazz kanë qenë ca botime italiane të viteve ‘50-‘60. Ca revista Jazz të botuara në Poloni dhe shumë transkriptime të tim’eti. Ndër pjesët e para Jazz që kam studiuar asokohe kujtoj: Summertime – të George Gershwin; Lullaby of Birdland – të George Shearing; A Night in Tunisia – të Dizzy Gillespie; Caravan të – Duke Ellington; Round Midnight – të Thelonius Monk; Anthropology – të Charlie Parker … e të tjera pjesë, të cilat sot e kësaj dite bëjnë pjesë në repertorin e shumë Jazz-istave në botë. Këto partitura i kalonim dorë mbas dore në mënyrë klandestine, sepse Jazz-i në ato kohëra ishte i ndaluar nga politika e PPSh-së. Unë ia pasoja Shpëtim Saraçit, ai ia pasonte dikujt tjetër e kështu me radhë, ose e kundërta.
U larguat nga Shqipëria në një kohë kur kishit një karrierë të suksesshme më 97-ën. Por, si shumë muzikantë apo artistë ju edhe në Itali ecët në rrugën e muzikës, nuk e braktisët profesionin. Sa e vështirë ka qenë kjo?
Ai vit ka shënuar njëherë e përgjithmonë jetën time. Për mua, vitet e para jashtë kanë qenë jashtëzakonisht të vështira. Më është dashur t’ia filloj edhe një herë nga e para. Në kurbet, gjithçka bëhet më e vështirë. Jeta të rëndon, sepse je në dhe të huaj. Do flasësh gjuhë të huaj, do ndërrosh mentalitet. Jo të gjithë të huajt ta duan të mirën, bile janë pak ata që ta duan të mirën! Kështu, me durim dhe pa tangërllëk, i jam shtruar punës. Në fillim punoja si muzikant në orkestrat e vallëzimit në Itali, pastaj kam punuar si muzikant nëpër “Night Clubs”. Me kalimin e kohës muzikantët filluan të më njohin bashkë me aftësitë e mia si muzikant. Më vonë erdhi momenti që krijova një grup me të cilin luanim Latin-Cuban/Jazz. U njoha me muzikantë që punonin me artistët Pop italianë, kështu që pata mundësinë të punoj si pianist dhe arranxhator me këngëtarin Fausto Leali dhe më pas me këngëtaren Iva Zaniçhi. . . Pak e nga pak, dhe më në fund arrita të hyj në xhiron e Jazz-it, që ishte edhe ajo për të cilën unë kisha interes.
Çfarë mendoni për muzikën e viteve të para post komuniste dhe atë që lëvrohet dhe këndohet sot në Shqipëri?
Vitet e para të ‘90-ës kanë qenë të mbushura me pasion për muzikën, për jetën. Ajo magji nuk kthehet më, për të vetmen arsye sepse duket sikur nuk ka më dëshirë për të bërë diçka të re për të cilën ia vlen të bësh sakrifica. “Ne (e kam fjalën për atë brez muzikantësh që pati fatkeqësinë të jetonte pjesërisht diktaturën) ishim të etur për të sjellë frymën e lirisë nëpërmjet muzikës. Ishim të bindur se po bënim diçka të mirë për veten, por edhe për publikun, i cili priste çdo vit të rejat muzikore nëpërmjet Festivalit në RTSh. Sot, një fenomen i tillë është jashtë teme. Mbas tronditjeve politike të vitit 1997, “Brezi fatal” i muzikës u shpërnda një herë e përgjithmonë, si rrjedhojë edhe klima artistike e brishtë e asaj kohe u përmbys. Sot dëgjoj plot zëra të rinj, disa edhe shumë të mirë, por nga ana tjetër ndihet edhe mungesa pothuajse totale e një qëndrimi kritik dhe profesional ndaj shkarravinave që shpeshherë promovohen në TV-të shqiptare. Një qëndrim kritik, që vë në pah defektet e sistemit dhe ndan vlerat artistike nga diletantizmit, sot është mëse i domosdoshëm.
Në faqen tuaj zyrtare është e pamundur të mos vësh re simbolin e Kapidanit të Mirditës. Sa i lidhur është Markelian Kapidani me origjinën e familjes?... Kam parasysh se dikur (nën regjimin komunist) ata që mbanin mbiemrin Gjomarkaj apo edhe Kapidani mundoheshin t’i largoheshin sa më shumë origjinës...
Gjomarkajt, Kapidanët e Mirditës, janë “Rrezja e Kanunit” të Lek Dukagjinit, i cili edhe e përpiloi atë. Kjo familje aktualisht ekziston e përçarë. Vitet e hidhura të komunizmit e gjakosën Derën e Madhe të Gjomarkajve. Komunizmi arriti ta dëmtonte rëndë këtë familje. Sot, pjesë të këtij fisi fisnik i gjen të shpërndarë nëpër botë, ca të lidhur akoma me traditat dhe ca të tjerë të shkëputur totalisht nga ato. Pavarësisht nga ç’ndodhi me Gjomarkajt në kohërat e shkuara, një pjesë e tyre arriti t’i rezistojnë turbullirave politike dhe sot (me vënien e demokracisë) ekziston mundësia që ata të rimarrin nderin që u takon bashkë me ato vlera morale dhe trashëgimi që politika grabitqare enveriste ia hoqi me dhunë.
Në këtë kontekst, besoj se e keni lexuar edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ky është më tepër një kuriozitet, se çfarë mendoni për Kanunin dhe sesi përdoret ai sot në Shqipëri...
Kanuni i Lek Dukagjinit është një vlerë e pamohueshme për kombin dhe historinë e popullit tonë. Ai është dëshmitar i shekujve të kaluar… Kanuni (duke pasur parasysh rrethanat historike në të cilin ai ushtrohej) duhet studiuar në shkollat tona si dëshmi e organizimit të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës Mesjetare deri para Pavarësisë. Sot, të veprosh politikisht apo juridikisht sipas Kanunit është me të vërtetë “Absurde”. Kanuni i përket së kaluarës.
Edhe diçka për jetën tuaj private... sigurisht që do të kishte interes për një publik që mban mend dhe akoma kërkon të dëgjojë për Markelian Kapedanin.
Sot jetoj mes Italisë dhe Zvicrës. Jam i martuar, pa fëmijë. Kam preferuar t’i kushtohem zanatit tim për kohën më të madhe. Kjo zgjedhje normalisht që do më peshonte mjaft në prani të një fëmije. Aktualisht jam në punë e sipër për realizimin e disa projekteve të reja. Në të gjitha këto projekte natyrisht që hyn shpirti i Jazz-it. Shumë muzikë ngelet akoma për t’u shkruar, shumë koncerte ngelen akoma për t’u bërë…