Qeveria miraton dëmshpërblimet për 227 ish-të përndjekur
Këshilli i Ministrave miratoi dje në mbledhjen e rradhës dëmshpërblimin financiar për 227 ish-të dënuar politik. Nga këta 195 përfitojnë si të dënuar me burg dhe 30 për dënim kapital (me vdekje), ku përfitimi shkon për familjarët. Dy ish-të dënuar politik të kësaj liste nuk përfitojnë nga ky vendim, pasi ata janë dëmshpërblyer më parë, prandaj dhe masa e shpërblimit të tyre është zero. Dëmshpërblimi financiar për ish-të dënuarit politik edhe për familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, do të bëhet sipas listës së mëposhtme. Masa e dëmshpërblimit si për 195 të dënuarit me burg politik, ashtu edhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik të regjimit komunist”, të ndryshuar. Shuma e llogaritur për secilin do të kalojë në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar. Vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.